Gjyqi i ish-krerëve të UÇK në Hagë, akt-akuzat e rënda të Prokurorisë Speciale, deklaratat dhe baltosjet ndaj njëri-tjetrit të politikës në Tiranë e Prishtinë me në krye kryeministrin Edi Rama në krye, i cili hodhi akuza ndaj kreut të PD Lulzim Basha, por që u rrëzuan dje në intervistën e ish prokurorit special John Clinton Willimson në RTV Ora.

Këto janë kryefjala e ditës në Shqipëri e përtej kufirit administrativ duke “zbehur” disi edhe frikën nga përhapja e lartë e Covid-19.

Nisur nga kjo, gazetarja dhe autorja e “Tempora”, Sonila Meço, përmes një postimi në rrjetet sociale, të gjithë këtë e quan “Piramida e përmbysur e një raporti Shqipëri-Kosovë-Serbi”.

Sonila Meço: “E mbytëm me zbulime nga arkiva dokumentesh sekretë, dëshmi të klasifikuara, gjetje shërbimesh sekrete të pikuara, por bindëse nëpër media, kërkime të pandalura nga viti 1999 nëpër zgëqe informatorësh, prokurorësh, diplomatësh e politikanësh, e bombarduam agresorin me rezoluta e qëndrime të drejtpërdrejta në parlamente e organizata ndërkombëtare, u ezauruam në gërrmime dëshmish e faktesh me shtëpi të verdha e ngjyra-ngjyra ndërsa në Hagë rreshtoheshin kokë më kokë ish luftëtarë të UÇK-së, të gjykuar edhe nga dy herë, ndërtuam një mur mbrojtës diplomatiko-politik përreth Kosovës e avancuam axhendën mbarëkombëtare me treg, financa e infrastrukturë shqiptare pa kufij, e shpartalluam me një lëvizje tentativën për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ndërtuam raporte të shkëlqyera me liderët e Kosovës, duke guxuar të hedhim së bashku në gjyq kriminelët, shpifësit dhe denigruesit ende në pushtet në Serbi dhe në kulminacion të kësaj përpjekjeje epike u gjet një fakt ulëritës mbi implikimin e politikanëve shqiptarë për kontribute, që kanë dhënë në hartimin e dosjeve kundra luftëtarëve të UÇK-së….

Piramida e përmbysur e një raporti Shqipëri-Kosovë-Serbi”.