Vështirësitë e shumta me të cilat është përballur nuk e kanë penguar fermerin Kristaq Llupi, i cili është i vetmi në fshatin Shën Pjetër të Fierit që të vazhdojë kultivimin e fasuleve. Dy shqetësimet kryesore të tij janë çmimi i lartë i naftës dhe pesticidet jo cilësore.

Kristaq Llupi është i vetmi fermer në fshatin Shën Pjetër në Fier, i cili kultivon një sipërfaqe të konsiderueshme me fasule. Por prodhimi këtë vit është më i pakët në krahasim me vitet e mëparshme.

“Më i paktë ka qenë prodhimi, kushtet natyrore nuk janë të përshtatshme që të avancojmë me sipërfaqen.”

Pavarësisht vështirësive të shumta, asnjëherë nuk ka gjetur përkrahjen e shtetit.

“Kemi mungesë përkrahje nga shteti.”

Dy shqetësimet kryesore të fermerit janë çmimi i naftës dhe pesticidet jo cilësore.

“Nëse nuk paguhet diçka, të na mbrojë nga nafta dhe plehrat. Helmet janë nul, e spërkat sot dhe për 5 ditë krimbat rrjepin hardhinë.”

I dëmtuar dy herë nga përmbytjet e fundit kur lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, por ende nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim.

“Na lanë me borxhe dy vjet të tjera.”

Dëshira për të punuar dhe siguruar të ardhurat ekonomike për familjen e tij e kanë bërë këtë fermer të palodhur.

Llupi ka të kultivuara 2.5 hektarë me fasule dhe 2.5 të tjera me elb.