Lexova për së dyti shkrimin arkivor me pyetjet që ngren Auron Tare, për dy njerëz të rëndësishëm në botën e letrave dhe politikës së historisë shqiptare Koliqi-Camaj. Dëgjova pothuaj të gjitha intervistat e Auronit në të gjitha studiot.

Nuk jam kundër hapjeve të dosjeve për cilin-do, në të kundërt, kam qenë dhe jam, që të hapen. Duhet të ishin hapur që në fillim te viteve 90, sado të dhimbëshme të ishin, se ndoshta, pas 30 vjetësh, në vënd që të konsumonim kohë dhe energji me dosjet, do të kishim pastruar këtë fushë të minuar që mban peng shqiptarët dhe Shqipërinë dhe përdoret dhe është përdorur nga të gjithë krahët politik si po e përdor Auron Tare, pikërisht, në këtë moment, jo si qëllim që Shqiptarët të mësojnë e të ballafaqohen dhe të përplasen me të vërtetën dhe ta analizojnë atë por…

Historia shqiptare prej krijimit të shtetit nuk ka mundur, nuk ka ditur, nuk ka pasur vullnet për të shkruar historinë ashtu siç ajo është, me të këqiat të mirat, gabimet, krimet, vlerat dhe heroizmat, sakrificat dhe dhunuesit shkatërrues të popollit dhe Shqipërisë. Futur secili klan-grupim në llogoret klanore duke demonizuar krahun kundërshtar e duke idealizuar vetveten si fituesi i radhës, pa trofe siç vazhdojmë dhe sot nuk kanë mundur të shkruajnë historinë.

Shtetet moderne dhe demokratike e zbërthejnë historinë personazhet historike si në këtë rast, në konteksin e rrethanave të kohës dhe si i janë imponuar situatat dhe koha individëve dhe qëllimi që kanë pasur këto duke “baltosur” veten për Shqipërinë.

Pse nuk kanë vepruar kështu shqiptarët , dhe pse historianët e Shqipërisë historikisht në rrugëtimin historik-kulturor shqipëtar janë përdorur si skuadra pushkatimi për “fituesit” kundrejt “humbësve”. Duke bërë këtë nuk kemi mundur të vendosim shina historike dhe nuk kemi ngritur stacionë historike. Kjo është arsyeja që shqiptarët nuk kanë ditur ta shkruajnë historinë dhë për këtë janë një mish-mash historik, bjeri ti bimë e të dalë ku të dalë.

Nuk ka qenë ky qëllimi i Tares, pasi Ai merret specifikisht me Koliqin dhe Camajn për të relativizuar shërbëtorët e letrave të realizmit socialist në shërbimet e zellshme ndaj regjimit komunist gjakatar dhe shkatërrues për kombin, me Koliqin e Camajn. Veprat e tyre, megjithë komplikimet në jetën politike si “bashkëpuntorë” apo “kolaborcionistë” , veprat e tyre letrare dhe albanologjike por edhe lufta politike për një Shqipëri të lirë, demokratike me orientim perendimor ngelen një gurë nishan me vlera edhe për brezat që do të vinë.

Ndryshe ka ndodhur dhe ndodh me letrarët dhe artin e realizmit socialist, ku Tare, dhe jo vetëm, por edhe ata që vetquhen “antikomunistë” mundohen ti mbajnë me dhunë si vlera, dhe jo vetëm, por edhe si disidentë dhe luftëtarë te lirise kundër diktataturës. Koha provojë se ashtu si regjimi politik komunist dhe arti dhe letërsia, nuk ishte gjë tjetër vetëm se makineria shpirtërore e regjimit kriminal për të shpëlarë trushë njerëzit duke ndërtuar monstrën “njeriun e ri” që është sot gjithandej dhe sipas atij modeli ka pregatitur sot monstrën demo(n)kratike.

Auron Tare, meqë ka akses në arkiva?!! pse nuk u mundua të hapi arkivat e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që vazhdojnë të mbahen të mbyllura hermetikisht, për mos dalë denoncuesit dhe makinacionet që pregatiste kjo Lidhje me në krye kryetarët e saj dhe shkrimtarët e preferuar te regjimit? Aty ku nisej, nisma për burgosje, internimeve të kolegëve, por jo vetëm, por edhe për ndonjë familje, adoleshent, që shqetësonte jetën e “shkrimtarit të madh” i preferuari i udhëheqjes dhe vetë sekretarit të parë sh.Enver. Përse nuk e kamë dëgjuar kurrë Taren dhe shumë të tjerë dhe nga ata dyftyrsitë “antikomuniste” të flasin për këto krime?!

Të na tregojë Tare një rast, kurë këta “koloboracionistë” si Koliqi e.t.j , kanë qenë shkaktarë për shkatërrimin, burgosjen, interrnimin, pushkatimin, varjen në litar, mohimin e studimeve te fëmijëve për shkak të pikpamjeve politike të prindërve apo te afërmeve të ndonjë shqiptari?! Unë deri sot nuk di asnjë rast. Në qoftë se di Auroni, të më ndihmojë!

Auron Tare, në shkrimin e tij, aludon dhe e len të nënkuptohet, jo pa qëllim se Martin Camaj, ka pasur dijeni dhe dorë në vrasjen e Dom lazer Sheldia në Bronx New York, duke u nisur nga një letër që i dërgon Gjon Sinishtës në 27 Mars 1991. Ja si e qas Auron Tare, dyshimin se Camaj, kishte dijene dhe “dorë” ne vrasjen e Dom Lazrit. Në fletën 35 Tare shkruan; I çuditshëm është pohimi i Martin Camajt për vrasjen e një mikut vet që nga koha e emigracionit në Beograd. “Jam i bindun se edhe vrasjen e Dom Lazrit ka dorë SGURIMI!

Kjo nuk është e vërtetë. Dom Lazri, është vrarë për plaçkitje. Dom Lazri kishte grumbulluar nga komunitetit katolik shqipëtar rreth 120-150 mijë dollar për të ndërtuar një Kishë tjetër për komunitetin. Këto i mbante në shtëpi dhe grabitësit shqiptar nga të arratisur nga Shkodra dhe Mali i Zi, kishin njoftim dhe i kanë shkuar në shtëpi dhe e kanë mbytur me tel me gjemba. Një mbytje barbarike. Pra jo vrarë me dy plumba. Pastaj kanë gjuajtur dy herë me pushkë. Këtë e vërteton dhe artikulli New York Post i datës 27 shtator 1988 që po ja bashkangjis shkrimit . Me pas njëri nga të dyshuarit i arratisuri nga Shkodra është dënuar 25 vjet.

Tjetër gjë që është e pabesueshme, është gjoja dëshmia e e Martin Camajt, për priftërinjtë Pater Fausti dhe Daniel Dojani. Camaj, sipas faksmiles së rekrutimit me pseudonimin “Bregu i kuq” më 10 maj 1945 është i saktë. Nuk po diskutojmë rrethanat dhe pse e firmosi këtë bashkëpunim. Por si ka mundësi që Camaj, dëshmon për Pater Faustin dhe Daniel Dojanin kur këta janë pushkatuar më 4 mars 1946, ndërsa deponimi i camajt presupozohet të jetë pas rekrutimit. Përse i duhej deponimi i dy të pushkatuarve SIGURIMIT?!! Kjo nuk ka asnjë sens. Ajo që është më kryesore është se pëpos aktit të rekrutimit, Camaj nuk ka aktivitet si Agjent i Sigurimit.

Eshtë dhe një dokumet i një grupi Kosovarësh që hedhin akuza kundër Camajt si spiun i UDB-së e tjerë. Ajo është një letër anonime që nga mënyra e daktilografimit duket sikur është shtypur në zyrat e Sigurimit pra nuk thotë asgjë.

Mendoj se debati është mirë që u hap për t’u bërë një diskutim serioz dhe për të kuptuar kohën dhe çfare4 ka ndodhur. Nuk duhet ti shikojmë si shenjtë kushdo qoftë por me dritë hijet dhe atë çka kanë kontribut për Shqipërinë, historinë dhe kulturën shqiptare.

Megjithë dritë-hijet që kanë këta të dy, unë mendoj së këta do të ngelen si vlera në historinë e kulturën shqiptare me kontributin e tyre.