Autoritetet doganore italiane kanë sekuestruar në portin e Brindisit një ngarkesë produktesh të ardhura nga Shqipëria e me markë të falsifikuar “Made in Italy”.

Janë sekuestruar gjithsej 2477 veshje të brendshme femrash që mbanin logon e një marke ekselente “Made in Italy”, por që ishin prodhuar në Shqipëri.

Në dokumentacionin shoqërues të mallit, produktet ishin specifikuar si të kategorisë Eur 1 e të prodhuara në Shqipëri, por analiza e detajuar e doganierëve bëri të zbardhej se të gjitha veshjet mbanin të qepur logon e markës së njohur italiane, si dhe kishin të stampuar në materialet konfeksionuese flamurin italian me diçiturën “mall origjinal italian, prodhuar e fabrikuar në Itali.”

Produktet ishin konfeksionuar në mënyrë perfekte për të mashtruar konsumatorët italianë.

I gjithë malli është vënë nën sekuestrimin e policisë doganore italiane si dhe një notë legale i është dërguar kompanisë italiane me bazë në Treviso me akuzën për tentativë importimi në territorin italian e me qëllim tregtimi, produkte me origjinë ta falsifikuar prodhimi.