Një i dënuar nga Burgu i Shkodrës ka telefonuar në emisionin Ora Juaj, ku ka denoncuar një rast flagrant dhe të rëndë që ka ndodhur në këtë insitucion.

I dënuari i quajtur Zamir Puka ka rrëfyer se policia e institucionit e ka dhunuar duke i thyer brinjët, ndërkohë që i kanë mohuar kategorikisht vizitën në spital.

Puka ka thënë se ndihet i rrezikuar për jetën e tij, ndërkohë që ka kërkuar ndihmë nga institucionet përkatëse.

Më kërcënohet jeta në burg. Me datën 27, rreth orës 6 kishim refuzuar ushqimin i gjithë sektori që të na ndiznin ngrohëset. Vjen një shef me gjithë grupin e sigurisë dhe po flisnim. Kur po flisja unë, ndërhyn dhe flet një polic, unë i them që po flisja me shefin dhe më tha “Unë të thyej kokën në murë”.

Më kapën dhe me lidhën me duar mbrapa. Më gjuajtën me grushta dhe shqelma barkut e brinjëve, kokës. Në mes të sektorit dhe kamerave. Më kanë marrë dhe më futën në izolim, më gjuajtën edhe atje. Më kanë thyer brinjët. Kam kërkuar që të më çojnë në spital me insistim dhe nuk më kanë çuar. Më kanë mbyllur në dhomë deri dje.

Kam kërkuar SHKB dhe nuk ka ardhur. Kam kërkuar që të më dërgojnë në spital për të bërë një vizitë, sepse jam i dëmtuar. Plus që i kam të gjithë organet e dëmtuara se kam bërë një grevë urie 20 ditore, sepse e kam mbaruar dënimin. Nuk më lënë që të nxjerr denoncim dhe nuk më dërgojnë në spital. Nuk kam avokat, por këto kanë thyer disa nene si tortura, shpërdorim detyre, mosdhënia e ndihmës. Këta shkojnë për ndjekje penale”, ka thënë i dënuari gjatë telefonatës së tij.