17 nëntori shënon 76 vjetorin e çlirimit të Tiranës nga forcat fashiste, ndërkohë që një urim në nder të kësaj dite ka ardhur edhe nga Presidenti Ilir Meta.

Me disa foto të veçanta, ku duket kryeqyteti pas lufte i shkatërruar dhe i rrënuar, Meta ka falenderuar dhe nderuar të gjithë ata që morën pjesë në këtë luftë.

76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet.
Për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit!
Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste
“, ka shkruar kreu i Shtetit.