Dita e hënë e 11 janarit shënoi edhe rinisjen e procesit mësimor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, pas pushimeve të zgjatura të festave të fundvitit.

Ndërkohë Universitetet vijojnë mësimin online. Pedagogu, Arlind Qori, thotë se mënyra sesi po procedohet për mësimin që prej nisjes së pandemisë  është pasojë e mungesës së kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore.

Qori: Kemi mungesë të kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore. Kemi klasa të mbipopulluara dhe shkolla që edhe në kohën normale bëhej mësimi me turne. Në të gjitha hallkat e veta arsimi është me infrastrukturë më të dobët nga çdo kishte mundësi Shqipëria nëse këtu nuk do të vidhej dhe nuk do të bëhej batërdia me pronën dhe infrastrukturën publike.

I ftuar në Ora News, ai thotë se studentët nuk ekzistojnë fare për qeverinë.

Qori: Për qeverinë studentët nuk ekzistojnë, nuk kanë marrë asnjë masë lehtësues. As ndonjë lloj subvencioni për internetin, pajisjet elektronike. Të paktën ta kishin bërë për studentët që kanë probleme ekonomike. Tarifat vazhdojnë të paguhen si më parë pavarësisht se cilësia e mësimdhënies dhe përdorimi i infrastrukturës universitare nuk ekziston. Studentët e sigurojnë vetë tashmë të gjithë infrastrukturën mësimore. Prandaj po e them dhe do ta përsëris derisa të skandalizohen të gjithë, për qeverinë studentët nuk ekzistojnë. U ka thënë bëni sikur bëni mësim se nuk na intereson fare fati juaj.

Referuar dhe të dhënave të anketës që Organizata Politike ka bërë dy muaj më parë, Qori thotë se një pjesë e studentëve nuk kanë akses në internet, ndërsa ata që kanë, gjysma ankohen për cilësi të keqe dhe shumë të keqe të tij.

Qori: Para dy muajve kemi bërë një anketë me studentët dhe mbi gjysma e të anketuarve kanë thënë që cilësia e internetit të tyre është e keqe dhe shumë e keqe. U mungon interneti i mjaftueshëm për të ndjekur mësimin. Kur gjysma e atyre që kanë internet thonë që interneti është e keqe dhe shumë e keqe, imagjino se çfarë mësimi bëhet. Shpesh më duket sikur atë rrogë po e marrim pa e merituar dhe jo për fajin tonë por për fajin e kushteve ku qeveria dhe administrata universitare na ka lënë.

Në gjykimin e Qorit, e gjithë kjo situatë e krijuar do të sjellë pasoja të pariparueshme në formimin arsimor të nxënësve dhe studentëve.

Qori: Dështimi qeveri pas qeverive për të krijuar infrastrukturën e duhur shkollore ose universitare për të pasur mësues me klasa më të vogla edhe në kushte normale na sjell në një situatë si kjo ku po bëhet viti i dytë shkollor… Imagjinoni fëmijët që kanë hyrë në klasë të parë vitin e kaluar, u bë viti i dytë që ata bëjnë shkollë sikur bëjnë shkollë dhe çfarë pasojash do të ketë në formimin e tyre. Mirë ca që kanë prindër që mund të kenë më shumë kohë të merren me ta dhe mbase më shumë njohuri pedagogjike për tu marrë me ta, oo shumë të tjerë që kanë prindër punëtorë, që janë gjithë ditën në punë, që janë të stresuar, që mezi u del paga, kush do ti mësojë ata? Po krijojmë një pabarazi arsimore që në gjenezë.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana