Është bërë e përditshme që gra, burra e fëmijë të mbushin rrugët e Tiranës, me dorën shtrirë ndaj kalimtarëve që mund t’u falin ndonjë lek apo diçka për të ngrënë. E në këtë situatë bashkia e Kryeqytetit, që ka për detyrë të kujdeset duket se është inekzistente.

Rrugët e Tiranës për disa persona janë kthyer në vendet e vetme ku mund të fitojnë disa të holla.

Në çdo rrugë të Tiranës sheh gra, burra e fëmijë,  të cilët zgjasin dorën për pak lekë.

Të strukur hijeve ata presin ndihëm e kalimtarëve pasi bashkia që duhet të kujdeset për këtë kategori i ka lënë në mes të rrugëve.

“Kam në djalë me 4 fëmijë, por ai luan bixhoz. Ku mbahet familja me një kilogram oriz.”

E ulur ashtu mes pluhurit, vapës, infeksioneve dhe në shumë raste mes përbuzjes së njerëzve, kjo zonjë ka arritur të sigurojë vetëm këtë kafshatë bukë.

Diku më tej është një tjetër që pret çdo ditë për një monedhë. Ai nuk mund të flas, por me gjuhën e trupit tregon qartë se çfarë e ka detyruar të dalë në rrugë.

Dikush del vetëm e dikush me fëmijën në krah.

Prania e medias i tremb e largohen për tu fshehur diku.

Ashtu të lodhur mund t’i zërë edhe gjumi.

Ka edhe fëmijë që futen mes makinave për të fituar disa të holla.

E ndrojtur nga kamera, kjo zonjë tregon se kjo është mënyra e vetme për tu ushqyer.

“Jemi pa bukë.”

Në këtë gjendje janë thuajse të gjitha rrugët në Tiranë, dikush mbledh materiale ricikluese në kazanët e mbeturinave e të tjerë të ulur në tokë presin dikë që tu zgjasë dorën, ndërsa institucionet përkatëse janë inekzistente.