Mbyllja e bizneseve po vazhdon

Mbyllja e bizneseve po vazhdon

Përkeqësimi i ekonomisë dhe kriza e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 ka rritur ndjeshëm numrin e bizneseve të cilat po detyrohen të mbyllin aktivitetin.

Vetëm në 7 ditët e para të këtij viti, 122 subjekte i janë shtuar listës së kompanive që kanë kaluar në statusin pasiv.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të përpunuara nga Ora News, tregojnë se në fakt ky trend ka nisur që në vitin 2020 ku raportohet një rritje prej 1 mijë e 185 biznesesh krahasuar me vitin paraardhës.

Në total mbi 9 mijë e 300 biznese kaluan në status pasiv gjatë vitit që lamë pas, ku vetëm në Tiranë numërohen 3 mijë e 611 NIPT-e të pezulluara.
Një tjetër qytet i goditur rëndë është edhe Durrësi i cili mori dy goditje të njëpasnjëshme, atë të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandeminë ku numërohen 1 mijë e 197 biznese.

Edhe nga qyteti bregdetar i Vlorës raportohen shifra të larta, duke numëruar 782 subjekte me status pasiv. Në muajt mars-prill, të cilët përkojnë me nisjen e pandemisë dhe izolimit total 792 biznese u detyruan të mbyllin aktivitetin.

Përgjatë vitit të kaluar qarku i Dibrës dhe i Kukësit rezultojnë të kenë numrin më të ulët të subjekteve që kanë kaluar me status pasiv.

Subjektet e vogla rezultojnë më të goditurat, ndërkohë që të ato të mëdha po e përballojnë më mirë krizën, pasi në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka vetëm pak kompani që kanë kaluar në status pasiv.

Ekonomi Lajme bizneset mbyllen bizneset

EMISIONET