Masat e vendosjes së karantinës për të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar,  pritet të aplikohen edhe për Kroacinë.

Gjatë një takimi që do të zhvillohet në Londër ditën e sotme, pritet që ministrat të diskutojnë çdo ndryshim të bërë në listën e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me kufijtë.

Nëse Kroacia futet në listën e kuqe të Britanisë, atëherë njerëzit që udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe do të detyrohen të izolohen për 14 ditë.

Javën e fundit Britania ka vendosur këtë rregull për Spanjën, Francën, Maltën duke bërë që një turmë turistësh të cilët kishin plan të udhëtonin drejt këtyre vendeve të kthehen në shtëpi.

Ditët e fundit Kroacia është përballur me një rritje të konsiderueshme të rasteve me Covid-19. Vetëm ditën e djeshme u shënuan 219 raste pozitivë, përfshirë edhe një lojtar të kampionatit të futbollit kroat, Dinamo Zagreb.