Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Lezhës për kultivim të lëndëve narkotike.

Arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi tre mujor nga policia dhe prokuroria.

“Pas një hetimi 3-mujor, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizoi me sukses operacionin policor “Vela”.Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, u bë ekzekutimi i urdhrave të Prokurorisë, për ndalimin e 4 personave nën hetim, konkretisht:-D. Ll., 46 vjeç, A. Gj., 44 vjeç, F. N., 46 vjeç dhe A. D., 47 vjeç, banues në fshatin Velë dhe Lezhë” njofton policia.

Këta shtetas dyshohet se gjatë vitit 2020, në zonat pyjore të fshatit Velë, Njësia Administrative Kolsh, Lezhë, kanë kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar nga shërbimet policore.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.