Mbi 100 milionë vetë janë infektuar në mbarë botën nga koronavirusi, ndërsa vendet janë në garë për të siguruar dozat e pakta në dispozicion të vaksinës. Të paktën 1.3% e popullsisë së botës është tani e infektuar me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri, prej të cilëve mbi 2.1 milionë kanë vdekur.

Të dhënat tregojnë se një person infektohet mesatarisht çdo 7.7 sekonda. Vendet më të prekura deri më tani janë ShBA-ja, India, Brazili, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar, që së bashku përbëjnë gjysmën e rasteve globale.

U deshën 11 muaj për infektimin e 50 milionë vetëve, dhe ky numër u dyfishua në më pak se tre muaj.

Deri tani rreth 56 vende kanë filluar fushatat e vaksinimit, duke herdhur në përdorim të paktën 64 milionë doza. Izraeli kryeson në listën e vendeve që ka vaksinuar më shumë vetë, 29% të popullsisë deri më tani.

Me 25 milionë raste, ShBA-ja ka 25% të totalit të të gjitha infektimeve globale dhe mbi 425 mijë viktima, dyfishi i atyre të regjistruar në Brazil.

Si rajoni më i prekur i botës, Europa po raporton tani një milion të infektuar çdo katër orë. Më e rëndë është gjendja në Europën Lindore, përfshirë Rusinë, Poloninë dhe Ukrainë, që përbëjnë rreth 10% të rasteve globale me COVID-19.

Pavarësisht marrëveshjeve të shumta me prodhuesit e vaksinave, shumë vende europiane po ndeshen me vonesa dërgesash, nga firmat Pfizer Inc dhe AstraZeneca Plc.