Rëndohet edhe më tej skandali i nxjerrjes së të dhënave sekrete nga sektori i Operacionit Forca e Ligjit në Policinë e Shtetit. Pas pezullimit të nëndrejtorit të kësaj strukture Artan Shkëmbi, SPAK ka nisur hetimet edhe për dy oficerë të tjerë që rezulton se kanë dekonspiruar hetimin e policisë gjermane për një rrjet trafiku kokaine nga Shqipëria.  Ndërkohë Gjykata e Posaçme shtyu seancën ndaj Artan Shkëmbit pasi avokati kërkoi të njihet me materialet e dosjes.

Dy oficerë të tjerë të Operacionit Forca e Ligjit përfshihen në hetimin për nxjerrje sekreti që u bë shkak për pezullimin nga detyra të nëndrejtorit të këtij sektori Artan Shëmbi.

Sipas burimeve, SPAK ka kërkuar të dhëna edhe për dy oficerë të tjerë në Policinë e Shtetit të cilët janë marrë në pyetje pasi ka rezultuar se kanë kërkuar në sistemin TIMS për dy persona që po hetoheshin me kërkesë të policisë gjermane në kuadër të një dosje të hapur për trafik kokaine.

Ndërkohë gjykata kishte cakuar të mërkurën për seancën për verifikim të kushteve te masës së sigurisë pezullim nga detyra për Artan Shkëmbin.

Ai u paraqit në gjykatë së bashku me avokatin e tij mbrojtës Artan Broci, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Seanca u shty per të enjten pasi mbrotja kërkoi kohë për tu njohur me aktet.

Por edhe institucioni i hetimit i kishte dhënë rëndësi përfaqësimit pasi përballë ish-zyrtarit të policisë u paraqiten për të mbrojtur akuzën vetë kreu i SPAK, Arben Kraja, së bashku me prokuroren Doloreza Musabelliu.

Hetimi për këtë rast ka nisur në prill të këtij viti pas informacioneve të mbërritura në Tiranë nga policia gjermane në lidhje me një grup të fuqishëm të trafikut të kokainës nga vendi ynë drejt Gjermanisë.

Për më tepër lexoni: Hetimet: Mesazhet e transkriptuara në Gjermani nxorrën emrin e Artan Shkëmbit