Pandemia ka tkurrur me 35.7 miliardë lekë të ardhurat në buxhetin e shtetit në 9-mujorin e parë të vitit 2020.

Sipas publikimit më të fundit të Ministrisë së Financave për ecurinë e treguesve fiskalë gjatë kësaj periudhe të ardhurat totale u realizuan në masën 307.83 miliradë lekë nga 310.8 që ishin parashikuar.

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, në një intervistë për Ora News thotë se ekonomia shqiptare është më e goditura në rajon, kjo edhe për shkak të dy fatkeqësive që kaloi njëra pas tjetrës, fillimisht tërmeti, e më pas pandemia.

Civici: Fatkeqësisht ekonomia jonë është një nga më të goditura edhe në raport me rajonin por edhe më gjerë. Shumë nga treguesit e saj janë destabilizuar dhe janë indikatorë shumë më negativ sesa ishin një vit më parë dhe nga çfarë ishin parashikuar për këtë vit.

Lidhur me aktin normativ që sanksionon vendosjen e maskës edhe jashtë, Civici thotë se në situatën  ku ndodhemi nuk ka vend për revoltë.

Por ai shton se gjobat mund të ishin edhe më të vogla.

Civici: Në kushtet kur vala e dytë ka dhënë shenja, mbajtja e maskës është një rregull për tu zbatuar dhe nuk ka pse të ketë revolta. Bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit. Nuk është vendi dhe momenti që mos ta zbatojmë. Lidhur me gjobën, 3 mijë lekë, është një shumë e madhe për një familje që mund ti dëmtojë akoma më shumë. Mund të ishte një masë edhe më e lehtë si gjobë apo edhe një formë kontrolli dhe imponimi e një natyre tjetër më sociale që edhe maska të mbahet por ndëshkimi të mos jetë në këto masa.

Civici komentoi edhe gjobat e fundit të Autoritetit të Konkurrencës ndaj 24depove të farmacive për monopolizim tregu dhe rritje të çmimeve të maskave dhe dezinfektantëve.

Për ekspertin e ekonomisë ky fenomen duhet ndëshkuar me forcë.

Civici: Faktor shumë negativ, duhet luftuar shumë fort. Kur një mall apo produkt është i dosmosdoshëm në kushte krize gjithmnonë ka një kategori biznesesh ose individësh që spekulojnë nga kjo nevojë e njerëzve duke krijuar situata monopol ose duke rritur çmimet. Duhet luftuar me të gjitha mjetet dhe forcat, është një kosto shtesë në kurriz të njerëzve. Edhe në Shqipëri ka pasur një tendencë të tillë për të përfituar në mënyrë abuzive. Nuk duhet të ketë asnjë tolerancë.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana