Autoriteti për Dosjet e Sigurimit të Shtetit njofton nisjen e një hetimi administrativ lidhur me dosjen e shkrimtarit Martin Camaj.

Hetimi ka të bëjë me verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH.

Sipas kreut të këtij institucioni, Gentiana Sula, grupi i punës do të verifikojë zbatimin e rregulloreve përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor.

Reagimi i Autoritetit të Dosjeve vjen pas debatit të krijuar mes studiuesish pas publikimit të një hulumtimi të Auron Tares, sipas të cilit figura e shquara si Martin Camaj ishte agjentë i UBD-së jugosllave.

Në studim, Tare ka marrë si referencë shkollimin e Camajt, punën në Radio Beogradi dhe përfshirjen në Komitetin e Prizrenit, e cila sipas tij ishte një organizatë, përmes së cilës UDB kishte ndërtuar një rrjet spiunazhi në Shqipëri dhe diasporë.

Po kështu edhe për Ernest Koliqin, Tare shkruante se ka qenë një agjent i CIA-s dhe ka mbështetur ardhjen e Camajt në Romë. Gjithashtu ai shton, se Koliqi ka ndihmuar Camajn, për të kapërcyer dyshimet se ishte i dërguar i komunistëve.