Martesat gay, Berisha kundër sanksionimit në Kushtetutë: Nuk i bëj qejfin Ramës

I ftuar në Tonight Ilva Tare, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur kundër ndryshimit të Kushtetutës për orientimin seksual, duke u shprehur se ligji që është mkiratuar gjatë qeverisjes së tij mjafton për t’i garantuar të drejtat komunitetit LGBT.
Ish-Kryeministri deklaroi se i vetmi vend që i ka sanksionuar në Kushtetutë martesat gay, Spanja, e ka bërë me referendum.
Tare: Meqenëse do të bëhet ndryshim në Kushtetutë për sa i takon hapjes rrugë të martesave gay gjatë reformës në drejtësi, ju do të ishit në favor?
Berisha: Jo nuk jam në favor, ka bërë një ligj Shqipëria në të cilin nuk i pengon dhe është bërë gjatë qeverisjes që kam kryesuar unë.
Tare: Ndaj dhe ju pyeta, ka qenë qëndrim në favor.
Berisha: Deri në Kushtetutë, nuk mendoj se Shqipëria ka nevojë të kalojë ylberin për shkak të problematikës së Edi Ramës i cili njëherë hiqet se është homo, një herë thotë se nuk jam, le të jetë ç’të jetë.
Tare: Ligji nuk po bëhet për Edi Ramën.
Berisha: Plotësisht dakord, ligji dhe Kushtetuta nuk mund të ndryshohet për shije të Edi Ramës, këtë nuk e bëjmë kurrë, ia them.
Tare: Opozita do jetë kundër për këtë çështje?
Berisha: Ta shpjegoj, ai e ka këtë gjë jo nga bindjet e tij, ka pasur vetë shprehje flagrante homofobike pavarësisht se çfarë deklaron. Por që unë ti bëj qejfin atij, deri këtu nuk shkojmë.
Tare: Shoqërisë jo atij, që po kërkon të hyjë në BE.
Berisha: Shoqërisë kemi detyrime, nuk e ka asnjë vend në Kushtetutë, një vend që e ka vendosur, Spanja që është katolike masivisht në terësinë e vet, e bëri me referendum. Nuk mund të imponojmë ne, aq më tepër që ne kemi disa sensitivitete edhe fetare që duhet ti respektojmë. Unë u them këtyre zotërinjve se kam respekt për orientimin seksual të gjithësecilit dhe e kam faktuar atë kur erdhi puna tek ligji. Por sensitivitetet duhet ti marrim parasysh, nuk kemi pse lëndojmë. Edhe shpjegimet që u kam dhënë në atë kohë komuniteteve fetare për ligjin u pranuan prej tyre, tani ne ecim në një farë harmonie me të gjitha. Jam kundër çdo lloj diskriminimi ndaj tyre.
Tare: Por jo vendosje në Kushtetutë? Le të bëhet një ligj tjetër organik, por jo vendosje në Kushtetutë.
Berisha: Ekziston ligji, Edi Rama po të donte çdo ditë shpallte një martesë gay në Bashkinë e Tiranës, nuk kishte asnjë pengesë kur ishte kryetar Bashkie.