Faktori ndërkombëtar po shton presionin ndaj mazhorancës për të mos shkelur marrëveshjen e 5 qershorit.

Pas deklaratave të djeshme të ambasadores së SHBA Yuri Kim dhe atij të BE Luigi Soreca, sot ishin eurodeputeti David Lega dhe nënkryetari i CDU/CSU, Johann David Wadephul, që deklaruan se palët duhet të arrijnë konsensus në Këshillin Politik.

Për publicistin Ilir Demalia, kryeministri Edi Rama do veprojë ashtu siç do ai vetë.

Ilir Demalia: ‘’A do tërhiqet Rama? Rama do bëjë sikur do tërhiqet ashtu siç ka bërë deri më sot. Në televizionin tuaj unë kam thënë që në fillim kur u krijua komisioni për reformën zgjedhore me opozitën jashtëparlamentare, Rama e bën këtë për të fituar kohë. Në fund do veprojë ashtu siç do ai dhe vepron në mënyrë të ligjshme. Këtë e tha edhe Gjiknuri sot. Propozimet që ka opozita jashtëparlamentare ne do t’ia përcjellim Komisionit të Ligjeve në parlament. Pra, çdo gjë do vendoset në parlament. Sa i takon retorikës së ndërkombëtarëve, unë mendoj se kjo retorikë tashmë është konsumuar dhe mua më vjen keq që e gjithë klasa politike dhe mediat e bëjnë faktor detrerminues.”

Publicisti Ilir Demalia në një lidhje për RTV Ora

Në një lidhje përmes Skype për ‘’RTV Ora’’, Demalia tha se retorika e ndërkombëtarëve tashmë është e konsumuar.

Sipas tij, marrëveshjet e firmosura në prani dhe me ndërkombëtarët, gjithmonë janë shkelur.

Ilir Demalia: ‘’Ndërkombëtarët kanë influencë dhe kontribut, por sjellin edhe dëm të madh me këtë që mbështesin here një palë e herë një palë tjetër. Po nuk qe e ndërgjegjshme vetë klasa politike shqiptare, që për 30 vjet ka punuar se si t’ia hedhin njëra-tjetrës, pa patur asnjë vision për të ndërtuar shtetin e së drejtës , asnjë vullnet për të ndërtuar intitucione të pavarura. Ndërkombëtarët kanë 30 vjet që ulen dhe bëjnë marrëveshje. Ato marrëveshje shkelen prapë nesër. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk i kuptojnë listat e hapura apo listat e mbyllura. Të gjitha këto janë një lloj retorike, ku rezultati do jetë po i njëjtë.”

Intervistoi në studio Beti Njuma, përgatiti për online Renato Çaushi.