Ligjvënësit grekë filluan diskutimin dyditor të projektligjit për zgjerimin e ujërave territoriale deri në 12 milje në Detin Jon. Ministri i Jashtëm Nikos Dendias, solli edhe një herë në vëmendje deklaratat e kryeministrit Edi Rama për të drejtën e patjetërsueshme të Greqisë për zgjerim. Për zonat e kontestuara Greqia e Shqipëria do të shkojnë në Gjykatën e Hagës.

Parlamenti i Greqisë filloi diskutimin në seancë plenare të projektligjit për zgjerimin e ujërave territoriale deri në 12 milje në Detin Jon. Ligjvënësit do të diskutojë për dy ditë, të martën dhe të mërkurën, projektligjitn e hartuar nga Ministria e Jashtme dhe miratuar me shumicë nga deputetët në komisionet parlamentare të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes.

Projektligji parashikon zgjerimin e hapësirës detare të Greqisë deri në 12 mije në zonën e Detit Jon dhe të ishujve të tij deri në Kepin Tainaro në Peloponez.

Zgjerimi bëhet në bazë të nenit 27 të Kushtetutës së Republikës së Greqisë dhe miratimi nga Parlamenti kërkon shumicë të cilësuar. Pas përfundimit të procesit të zgjerimit të Detin Jon, ministri i Jashtëm Nikos Dendias njoftoi qëllimet edhe për zgjerimin e zonës detare në Jug të ishullit të Kretës.

 “Ky projektligj ka mbështetjen uanime të të gjitha forcave politike të Parlamentit, ndaj besoj se ky është një çast historik dhe këtu dua të përshëndes të gjithë për bashkëpunim,” tha Dendias.

Në lidhje me Shqipërinë, kryediplomati solli në vëmendje deklaratat e kryeministrit Edi Rama që e quajti të drejtë zgjerimin e Greqisë.

“Kryeministri shqiptar bëri një deklaratë të qartë, kur ai kritikoi qëndrimin e opozitës, se është në të drejtën tonë ekskluzive që të zgjerohemi në 12 milje,” tha Dendias para deputetëve.

Pasi zgjerimi të depozitohet në Kombet e Bashkuara dhe të jetë pranuar ndërkombëtarisht, Greqia dhe Shqipëria do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për ndarjen e zonave të kontestuara në Detin Jon, në lindje dhe në veri të ishullit të Korfuzit. Palët nuk bien dakord për rolin që kanë ishujt në zonën e kontestuar.

Pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Shqipërinë, Greqia do të ndeshet me negociata më të vështira me Turqinë për delimitimin e zonës ekskluziv ekonomike.