Maqedoni e Veriut: Pendarovski i dorëzon nesër Zaev-it mandatin për formimin e qeverisë

Maqedoni e Veriut: Pendarovski  i dorëzon nesër Zaev-it mandatin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pritet të enjten (13 gusht) në mesditë t'i japë ish-kryeministrit socialdemokrat Zoran Zaev mandatin për formimin e qeverisë së re.

Zyra e kreut të shtetit njoftoi se Zaevi si lider i LSDM-së dhe deputet i Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut, ka mundësitë më të mëdha për koalicione me partitë e tjera.

Socialdemokratët në emër të koalicionit “Mundemi” fituan muajin e kaluar numrin më të madh apo 46 nga 120 mandatet parlamentare, por pa mundur të sigurojnë të vetëm shumicën.

Si një zgjidhje e mundshme pritet partneriteti me partinë "Bashkimi Demokratik për Integrim" e Ali Ahmetit, i cili po të enjten ka planifikuar një takim koordinues me kryetarët e grupimeve të tjera politike shqiptare, Ziadin Selën, Afrim Gashin, Bilal Kasamin dhe Menduh Thaçin.

Shumë prej tyre kërkojnë një rol më të madh të shqiptarëve në postet ekzekutive, pa përjashtuar edhe karrigen e kryeministrit.

Opozitarët e VRMO-DPMNE-së, ndërkohë, pranuan këtë javë se nuk presin bashkëpunimin me BDI-në e Ahmetit për të plotësuar 61 mandatet e shumicës, dhe në rast se ngërçi politik nuk zgjidhet deri në fillimin e shtatorit, do të ishin në favor të zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë.

Rajoni Lajme Maqedoni e veriut maqedoni e veriut zoran zaev stevo pendarovski formimi i qeverise

EMISIONET