Manjani mbështetës i aleancës Kurti-Osmani: Politikanë kurajozë, të motivuar për çuarjen përpara të Kosovës

Manjani mbështetës i aleancës Kurti-Osmani: Politikanë

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të garojnë së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Dy politikanët të enjten zyrtarizuan marrëveshjen që partia e re "Lista" e themeluar nga presidentja në detyrë, Osmani, t'i bashkohet listës zgjedhore të Vetëvendosjes për 14 shkurtin.

Ish-ministri, Ylli Manjani, i ftuar në Rtv Ora thotë se është mbështetës i kësaj aleance, duke i vlerësuar si një dyshe politikanësh të rinj kurajozëdhe të motivuar për të çuar përpara Kosovën.

Ai thotë se shpreson shumë që ky model pozitiv ti shërbejë edhe Shqipërisë.

Manjani: Jam mbështetës besnik i aleancës mes Vetëvendosjes dhe listës së zonjës Osmani, është një kombinim politiki i jashtëzakonshëm , një shembull kuptimplotë jo vetëm në Kosovë por edhe për Shqipërinë do të ishte mirë të ishte kështu. Të dy janë politikanë të votuar në Kosovë, të dyve ju ndërpre mandati politik në mënyrë të padrejtë dhe ata duhet të përfundonin një mandat politik, ishin votuar për këtë gjë. Sigurisht kasta e vjetër politike e cila sot e kësaj dite fshihet pas fundshpinës së Grenellit nuk mendoj që ka bërë mirë as për klimën politike atje, as për Kosovën dhe gjithë hapësirën shqiptare. Janë dy politikanë shumë kurajozë, shumë të rinj dhe të motivuar për të çuar përpara Kosovën dhe shpresoj edhe për të shërbyer si model pozitiv për Shqipërinë.

Kryetarja në detyrë e shtetit tha se Kurti do të mbajë postin e kryeministrit të ri nëse ata fitojnë zgjedhjet, ndërsa presidenca mund t'i mbetet Osmanit, shtoi kryeopozitari i Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje parashikon një koalicion parazgjedhor edhe me partinë Alternativa të Mimoza Kusari-Lilës.

Shumica e partive të mëdha në Kosovë kanë shprehur bindje në forcat e veta në elektorat, ndërsa e shtuna është afati i fundit kur duhen vendosur aleancat paraprake dhe listat zgjedhore.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana

EMISIONET