Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp ka bërë me dije të gjithë planin se si do të zhvillohet vaksinimi në rang vendi.

Sipas Manastirliut të parët do të vaksinohen bluzat e bardha, një grup brenda të cilit do të ketë një bazë prioriteti, ndërkohë që pas tyre nis fill vaksinimi i të moshuarve.

Manastirliu: Aspekti kryesor është për prioritizimin e grupeve që do vaksinohen dhe fillon me ata që janë në përballje të përditshme me armikun e padukshëm, janë punonjësit e shëndetësisë. Këtu ka një priotizim, pasi numri i personelit tonë mjekësor është 23 mijë, së bashku me personelin mbështetës. Kemi prioritizim brenda grupeve, pra të gjithë mjekët dhe infermierët që ofrojnë shërbim në spitalet tona covid do të jenë të parët që do të vaksinohen. Vaksinimi i tyre nis sot dhe do të shtrihet më tej në vijim sipas planit. Vijojmë më pas me punonjësit shëndetësor në reanimacione, urgjenca dhe më tej.

Ndër grupet e identifikuar si prioritar për t’u vaksinuar janë të moshuarit dhe ata me sëmundje të shumta, ku në fazën e parë vaksinojmë personelin shëndetësor, por kemi dhe vaksinimin e kombinuar pasi do të përpiqemi që të jemi shumë specifik në grupet që kanë nevoja urgjente. Planifikojmë që personat e moshuar që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe në institucione të shëndetit të vijojnë vaksinimin në mënyrë paralele.

Do të vijojmë me personat mbi 75 vjeç që janë mbi 170 mijë dhe kështu me radhë sipas kalendarit. Duke e bërë vaksinimin në qendra të posaçme siç është stadiumi. Kemi krijuar këto postacione, që janë 60 dhe kanë të parashikuar gjithë elementet e sigurisë dhe cilësisë, së bashku me ekipet tona më të ira të vaksinatorëve në vend. Kemi marrë masa që të gjithë vaksinatorët të jenë të trajnuar për vaksinën Pfizer BioNTech.