Një nga marrëveshjet e nënshkruara sot mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke ishte dhe ajo në fushën e shëndetësisë.

Marrëveshja e firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Dr.Fahrettin Koca,  Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, ka për qëllim të mbështesë dhe përmirësojë shkëmbimin e njohurive, përvojës, shërbimeve dhe teknologjisë midis dy vendeve, për të forcuar sistemet dhe politikat shëndetësore, përmes praktikave të përparuara akademike dhe shkencore.

Marrëveshja mes dy Ministrive të Shëndetësisë do të shtrihet edhe në bashkëpunimin  për sistemet dhe teknologjitë e informacionit shëndetësor, statistikat, sistemet e menaxhimit të informacionit spitalor, në shërbimet e akreditimit dhe kontrollit të cilësisë, në farmaceutikë, pajisje mjekësore, vaksina, bioteknologji, etj.

Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është bashkëpunimi në emergjenca, fatkeqësi natyrore dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta të punës si organizimi i përbashkët i javëve shëndetësore, forumeve të biznesit shëndetësor etj.

Në marrëveshjen e rinovuar parashikohet gjithashtu se, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë do të vazhdojë të ofrojë trajtim falas, për 100 pacientë në vit nga Shqipëria për ndërhyrje të vështira, që kanë nevojë për trajtim tejet të specializuar.

Sakaq Turqia është angazhuar dhe për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit, që siç tha presidenti Erdogan do të jetë gati përpara zgjedhjeve të 25 prillit.