Manastirliu flet me maskë kundër Covid në Kuvend: Ndëgjegjësohuni, vendet në spitale po ezaurohen

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në seancën e radhës plenare është shprehur se kapacietet në dy spitalet Covid po shkojnë drejt ezaurimit. Nga foltorja e Kuvendit ajo apeloi jo vetëm deputetët por edhe të gjithë qytetarët për të mbajtur maskat në ambiente të mbyllura për të parandaluar shifrat ekstreme të të prekurve  me koronavirusin në vendin tonë.

Shumë shpejt, kapacitetet në Spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" do të ezaurohen dhe do të jetë nevoja e hapjes së dy spitaleve të tjera Covid.

Ky ishte shqetësimi që Ministrja e Shëndetësië, Ogerta Manastirliu, parashtroi  gjatë fjalës së saj në seancën plenare të kësaj të enjte.

Manastirliu solli në vëmendje edhe numrin e lartë të pacientëve që aktualisht po trajtohen në dy spitalet Covid.

Manastirliu: Në të dy spitalet kemi mbi 120 të shtruar dhe dhjetra të tjerë që janë të dyshuar dhe shtruar në spitale. Do të thotë që shumë shpejt do të ezaurojmë spitalet e dedikuara e do të shtrihemi në hapjen e dy spitaleve COVID-3, COVID-4

Si është më e mirë të hapim dy spitale të tjera apo të vendosim maskën dhe të ulim së bashku rriskun e infeksionit dhe të të infektuarve? Kjo kërkon mobilizim dhe nuk duhet ta bëjmë vetëm për veten tonë por për të ardhmen tanë.

Për parandalimin kësaj gjendje, Manastirliu, kërkoi nga kolegët e saj deputetë që të përdorin maskën në ambientet e mbyllura për të mbrojtur veten, por edhe për  të sensibilizuar qytetarët për zbatimin e kësaj mase.

Manastirliu: Ftoj që përveçse ta miratojmë këtë akt normativ të mundemi që të japim shembullin duke mbajtur maskë.  Nuk ka sakrificë vendosja e maskës, duhet  të kthehet në rutinë. Nuk ka më normalitet të vjetër, ashtu sic ishim nuk do të jemi më, deri kur të dalë vaksina. Nëse ju refuzoni të mbani maskën sigurisht që nuk mund të jeni shembulli më i mirë për tu marrë sa i takon masave që të gjithë së bashku duhet të zbatojmë. Kjo nuk është një maskë se po vë qeveria por është e propozuar nga ekspertët e pranuar si domosdoshmëri për të parandaluar virusin vdekjeprurës.

Një ditë më parë gjatë inspektimeve në spitalin Covid 3 në QSUT deklaroi se po rekrutohen mjekë dhe infermierë, të cilët do të shërbejnë në strukturat e reja spitalore për të trajtuar të prekurit me koronavirus.

Gjithësej janë rreth 500 shtretër në dispozicion të të prekurve me koronavirus, nga të cilat 120 në spitalin Infektiv dhe rreth 200 në spitalin "Shefqet Ndroqi".

Kuvendi miratoi me 90 vota pro, 19 kundër, 5 abstenim, Aktin Normativ “Për një shtesë në aktin normativ, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”.


https://youtu.be/xogeLBbGpJE

Vendi Shendetësi Lajme koronavirusi ne shqiperi Sociale spitale

EMISIONET