Ndalimi i muzikës pas orës 20:00 dhe mbyllja e lokaleve të natës ka marrë formën ligjore në Parlament. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se janë pikërisht këto ambiente të cilat janë shndërruar në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit. Ndërsa pas tre rasteve me Covid në Kuvend, deputeti Halit Valteri kërkon testim të të gjithë deputetëve.

Akti normativ për ndalimin e muzikës pas orës 20:00 dhe ndalin e aktiviteteve në klubet e natës ka marrë vlerë ligjore që prej kësaj mërkure. Kuvendi e miratoi sot me 87 vota pro, 11 kunder e 2 abstenim.

Nga foltorja e parlamentit, Ministrja e Shëndetësisë  Ogerta Manastirliu deklaroi se vatrat e rrezikshme të infeksionit janë pikërisht këto ambiente, ndërsa theksoi se neglizhenca e të rinjve mund të infektojë çdo moshë.

Ogerta Manastirliu:Masat që po marrin, qoftë akti normativ që miratojmë sot dhe ai  i detyrimit të vendosjes së maskave në ambiente të mbyllura janë masa të vlerësuara për uljen e zinxhirit të infeksionit dhe përhapjes së tij.Është analizuar që ata që frekuentojnë klubet e natës janë përhapës të një zinxhiri infeksioni përgjatë kësaj periudhe. Ata bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit të moshave të tjera. Miratimi i këtij akti normative vjen në kohën e duhur në kuadër të zbatimit të masave antikovid.

Pas konfirmimit të tre deputetëve me Covid, përfaqësuesi i opozitës së re Halit Valteri kërkoi kryerjen e tamponit për të gjithë ligjvënësit.

Për përballimin e situatës pandemike e cila sipas ekspertëve pritet të jetë më e vështirë në periudhën vjeshtë-dimër, ministrja Manastirliu deklaroi se po përgatiten jo vetëm për hapjen e spitaleve Covid por edhe për shtimin e stafeve mjekësore.

Ogerta Manastirliu: Ajo çfarë jemi duke bërë është për të marrë masa parandaluese.Ky akt normativ vjen në kuadër të këtyre masave. Po punojmë të fuqizojmë skuadrat lëvizëse tek urgjencat kombëtar në funksion të dhënies së shërbimit në banesë për qytetarët që kanë nevojë. Po fuqizojmë kapacitetet spitalore edhe ato rajonale. po përgatisim skuadrat e rezervës për hapjen e spitaleve COVID-3 e COVID-4 dhe vijojmë kapaicitetet e testimit. Periudha që na pret në shtator, tetor, nëntor kërkon vijimin e marrjes së masave. Cdo masë restrictive nuk është e lehtë por e domosdoshme.

Në funksion të situatës pandemike Ministria e Shëndetësisë po vlerëson hapjen e spitalit Covid 3 dhe spitalit Covid 4, si dhe të shtojë kapacitete e grupeve të terrenit në urgjencën kombëtare.