Man. United po e tregon që është ekipi më i favorizuar për të fituar Europa League këtë sezon. “Djajtë e kuq” pothuajse siguruan kalimin në gjysmëfinale pas suksesit të pastër 2-0 në Spanjë ndaj Granadas në përballjen e parë çerekfinale teksa ajo e kthimit pritet të jetë një formalitet. Rashford në 31’ I hapi rrugën fitores dhe Bruno Fernandes në 90’ me penallti vulosi suksesin tepër të rëndësishëm për Solskjaer.

Një mbrëmje zhgënjyese ishte ajo për Arsenalin që barazoi 1-1 në “Emirates” ndaj Slavias së Pragës në takimin e parë dhe gjithçka mbetet e hapur për sfidën tjetër ndërsa Villarreal triumfoi 1-0 në përballjen e parë në Kroaci ndaj Dinamos së Zagrebit.

Ndërkohë një fitore me shumë vlera për Romën që arriti të përmbysë Ajaxin 2-1 në “Johan Cruiff Arena” ku golin e Klaassen në 39’ e zhvlerësuan Pellegrini në 57’ dhe Ibanez në 87’. Për t’u theksuar fakti që Tadiç humbi penallti në 53’ për Ajaxin që mund ta mbyllte ndeshjen 2-0 ndërsa tani i duhet të fitojë në Romë që të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinalen e Europa League.