Makolli kritik me Hagën: Aktakuza e Speciales një proces që i ka dalë boja, fillimisht arreston dhe pastaj kërkon prova

Makolli kritik me Hagën: Aktakuza e Speciales një proces që i ka

Politikani kosovar, Ibrahim Makolli, e konsideron një farsë të gjithë procesin e Prokurorisë Speciale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Marrë shkas nga seanca e sotme, ai thotë se është e papranueshme që Specialja fillimisht arreston dhe më pas kërkon të mbledhë prova e dëshmitarë për të plotësuar aktakuzën.

Makolli: Padrejtësi është pak të them. Është më tepër se farsë sepse thuhet pas arrestimit të krerëve të UÇK se  prokuroria duhet të mbledhë dëshmi të tjera dhe kjo dëshmon për një lojë që është zhvilluar në raport me procesin në përgjithësi dhe të akuzuarit në veçanti. Ka një ngut të prokurorisë për të mbledhur dëshmi dhe për të siguruar dëshmitarë dhe kjo dëshmon se e gjithë aktakuza e ngritur ndaj krerëve të ish-UÇK është një farsë që i ka dalë boja. Padyshim që veprime të tilla nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë dhe mbi të gjitha janë veprime të padrejta nëse tani thuhet se prokuroria duhet të mbledhë dëshmi.

Nga ana tjetër Prokoruria ka kërkuar mbrojtjen e 153 dëshmitarëve që pritet të dëshmojnë në këtë proces.

Makolli: Është e natyrshme që prokuroria të kërkojë mbrojtjen e dëshmitarëve të mundshëm në çdo proces, por nga ajo që shihet nëse lexohet aktakuza shihet se nuk ka ndonjë element në bazë të së cilës do të duhet të mbështetej prokuroria për hapjen e aktakuzës dhe për më tepër arrestimin e të pandehurve. Kjo shpërfaq edhe një dimension tjetër të këtij procesi që është një ngut i prokurorisë të arrestojë dhe më pas të merret me mbledhjen e dëshmive dhe plotësimin e aktakuzës.

Për Ora News, ai thotë se procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK është një precedent negativ për të gjithë ato vende dhe popuj që një ditë do të gjenden para zgjedhjes: Të rrinë në robëri apo të ngrihen dhe luftojnë për të drejtat e tyre.

Makolli: Ka një shkarje në gjithë këto procese që kanë ndodhur në 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Kemi pritur që drejtësia ndërkombëtare të vërë para bankës së të akuzuarve të gjithë ata që kanë kryer krime makabre në Kosovë, krime që kanë qenë të planifikuara dhe udhëhequra direkt nga kreu më i lartë shtetëror i Serbisë në atë kohë dhe vimë në një moment kur kjo drejtësi para bankës së të akuzuarve i vendos ata që  kanë zhvilluar luftë çlirimtare. UÇK paraqet kulminacionin e të gjitha përpjekjeve 100 vjeçare të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Kjo paraqet dhe një tërheqje të vërejtjes të gjithë atyre popujve që sot ose nesër mund të gjenden në robëri që tu bëhet me dije se është më mirë të durojnë robërinë sesa të futen në luftë për liri për të drejtat e tyre sepse një ditë në vend që në bankën e të akuzuarve të gjenden fajtorët do të gjenden ata që kanë luftuar për liri. Është jo vetëm fyese por krejtësisht  e papranueshme që tani në bankën e të akuzuarve të dyshuar dhe të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjenden ata të cilët në fund të shekullit të kaluar kanë pasur guximin që të ngrihen ndaj një armiku shekullor të kombit tonë dhe në këtë drejtim konsideroj që është një drejtësi selektive dhe një përpjekje që të barazohet viktima me kriminelin. Brenda këtyre 20 viteve në brendësi të territorit të Serbisë janë gjetur mbi 1000 trupa të shqiptarëve të vrarë dhe sakatosur, të transportuar me qindra km nga vendi i krimit, është e mjaftueshme edhe për botën demokratike të kuptojë në të vërtetë kush ka qenë agresori. Lufta në Kosovë ka qenë e imponuar, ne si shqiptarë na është imponuar lufta dhe ka qenë e vetmja mundësi, e vetmja zgjidhje që të mbrojmë ekzistencën tonë biologjike.Është krejtësisht e papranueshme që në bazë të disa dëshmive, deklaratave që jam i bindur që nuk do të mund të vërtetohen para trupit gjykues, është e patolerueshme që të përgjigjen ata të cilët kanë qenë në anën e drejtësisë, këtu kam parasysh edhe mobilizimin e faktorit ndërkombëtar me në krye SHBA që tu dalë në përkrahje shqiptarëve në luftën e vitit 1998- 1999.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana

Rajoni Lajme Kosovë kosova ne hage ibrahim makolli

EMISIONET