Dhjetra familje kanë dalë për verim në Bjeshkët e Tropojës bashkë me mijëra kokë bagëti. Në Sylbicë u mbajt festa e qethjes së deleve, një aktivitet që veç ruajtjes së traditës synon nxitjen e turizmit.

Bjeshkët e Sylbicës konsiderohen ndër më të bukurat në Tropojë. Nis në 1600 metra lartësi e mbaron në 2300 metra mbi nivelin e detit.

Maja e Gjerovicës dhe ajo e Shkëlzenit i qëndrojnë si shpatulla, ndërsa mes tyre shtrihet një hapësirë  ku syri të kap vetëm gjelbërim. Muajt e verës u japin jetë.

Dhjetra familje me mijëra bagëti janë vendosur atje për verim. Është dita e qethjes së deleve.

Për ta kthyer traditën në festë, në Bjeshkë u ngjitën edhe artistët e Ansmblit Dardania. Rituali i qethjes u shoqërua me këngë e valle në një ansambël natyror.

Një organizim që synon, ruatjen e traditës por dhe promovimin e turizmit të natyrës.

”Kjo ka qenë një festë ku e gjithë malësia bashkohet.”

Ndër breza verohet nga fiset Bytyç e Berishë të cilët krahas staneve vitet e fundit kanë nisur të ndërtojnë vila e hotele për të pritur turistë.

”Për mua nuk ka gjë më të bukur.”

Afër i pastër, ujë i ftohtë e natyrë e bukur. Ushqim bio.

Një ofertë që ndjell çdo vit mijëra njerëzh t’i ngjiten alpeve. Mahnit edhe ata që syrin e kanë të mësuar me bukuritë e Bjeshkës.

”Po i bëj kritikë vetes pse nuk kam ardhur vitet e tjera.”

Natyra i dhuroi Tropojës Bjeshkët, por koha është që ti gëzojnë të gjithë. Ato janë atraksion për turistët.

Vit pas viti numri i tyre në Tropojë është rritur. Por sfidë mbet përmirësimi i infrastrukturës.

”Ne po punojmë me projekte që këto rrugë të bëhen me asfalt.”

Bjeshkët e tropojës shtrihen në rreth 40 mijë hektarë. Peizazh i Alpeve, destinacione të pashkelura, perlë e turizmit malor.