Presidenti francez, Emanuel Macron, është diagnostikuar me Covid-19, duke iu shtuar listës së kryeshtetarëve të prekur nga pandemia globale.

Pallati i Elizesë njoftoi se 42-vjeçari rezultoi bartës i virusit SARS-CoV-2 pas testit PCR kur shfaqi simptomat e para.

“Në përputhje me udhëzimet e autoritetit shëndetësor, Presidenti i Republikës do të vetizolohet për 7 ditë. Punën dhe aktivitetet e tij do i zhvillojë në distancë,” u njoftua në komunikatën për shtyp.

Kryeministri i Francës, Zhon Kasteks, po ashtu mësohet se është izoluar për arsye sigurie për shkak të kontakteve me presidentin Makron.

Në Francë kanë ndërruar jetë afro 60 mijë veta nga sëmundja infektive.

“I dashur Macron, të uroj shërim të shpejtë. Pandeminë do ta mposhtim bashkërisht. Do të vazhdojmë dora-dorës të punojmë për imunizimin dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë,” reagoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen.

Koronavirusi i ri këtë vit nuk ka kursyer as liderët më të fuqishëm të botës.

Më i fundit mes tyre ishte presidenti amerikan, Donald Trump, i cili në muajin tetor, pak javë para zgjedhjeve presidenciale, njoftoi se arriti ta kalojë shpejt sëmundjen falë mjekimeve eksperimentale.

Më rëndë mes personaliteteve të huaja u prek kryeministri britanik, Boris Johnson, që u detyrua të shtrohet në spital për disa ditë gjatë muajit mars, kur kontinentin e goditi vala e parë e pandemisë.

Pas tij, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, kryeministri i Rusisë dhe princat Çarls i Britanisë apo Alberti II i Monakos rezultuan bartës të koronavirusit.

Bashkimi Europian ka planifikuar që fushata e vaksinimit kundër Covid-19 në shtetet anëtare, të nisë njëkohësisht nga 27 dhjetori.

Javën tjetër, vaksinën pritet ta marrë edhe presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden.

Vendi i tij mban numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusit, mbi 307 mijë jetë të humbura, ndërsa në nivel global, betejën me sëmundjen e kanë humbur mbi 1 milion e 650 mijë njerëz.