Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi ashpër sulmin e sotëm në qytetin e Nicës, duke e përshkruar atë si një “sulm terrorist islamik”, në të cilin sulmuesi vrau tre persona me thikë pranë një kishe.

“Franca është nën sulm nga islamikët, por ajo nuk do të heqë dorë nga vlerat e saj,” tha Macron.

Ai njoftoi se do të rrisë masat e sigurisë rreth shkollave, duke shtuar se do të dyfishojë numrin e trupave që mbrojnë vendin nga sulmet terroriste dhe se ushtria do të mbrojë posaçërisht vendet fetare.

“Nëse ata na sulmojnë, kjo është për shkak të vlerave tona, vlerave të lirisë dhe qëllimit tonë për të mos iu nënshtruar terrorit”, tha Macron.

“Unë dua të shpreh mbështetjen e Francës për komunitetin katolik,” shtoi Macron, duke nënvizuar faktin se sulmi i sotëm  ndodhi pranë një kishe.

Një seri sulmesh ndodhën ndërsa Franca u rikuperua nga vrasja e tmerrshme e mësuesit të shkollës së mesme Samuel Petty, të cilit iu pre koka nga një mysliman 18-vjeçar me origjinë çeçene pasi ai u tregoi studentëve karikaturat e Profetit Muhamed.

Nuk dihet ende nëse sulmet e së enjtes ishin të lidhura me botimin e karikaturave që myslimanët i konsiderojnë përdhosje.

Pas vrasjes së Petty, autoritetet franceze konfirmuan të drejtën për të shfaqur karikatura që u tregua gjithashtu me marshime solidare me mësuesin e vrarë.

Kjo ka zemëruar vendet myslimane, me disa qeveri që akuzojnë Macron se ka një axhendë anti-islamike.