Partitë kryesore në Kosovë e shohin rikthimin e reciprocitetit me Serbinë si mundësi reale nëse do të mungojnë alternativat për avancimin e dialogut dypalësh.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon t’i përmbahet me konsekuencë politikës që ai ideoi dhe që e rrëzoi nga pushteti marsin e kaluar.

 Kurti: “Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet madje mbi bazën e kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur. Gjithçka duhet të nis me dokumentimin dhe adresimin e dëmeve të luftës, me evidentimin dhe gjetjet e personave të zhdukur dhe ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës.”

Por tri javë nga zgjedhjet e parakohshme në vend, ideja për reciprocitet e Kurtit po gjen mbështetje edhe te ata që dikur e zhbënë atë, te ish-aleatët e Lidhjes Demokratike.

Kandidati për deputet, Faton Bislimi, thotë tani se ndërsjellësia e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd shihet nga LDK-ja si instrument politik.

Bislimi: “Unë besoj që LDK-ja ka tregu gatishmërinë e saj që çdo mjet të saj demokratik ta lë të hapur si mundësi e arritjes së qëllimeve të caktuara politike. Këtë rast edhe me Serbinë̈, pse jo. Ne e kemi parë dhe vazhdojmë̈ të shohim edhe reciprocitetin në kuadër të këtyre mjeteve politike.”

Ndërsa në partinë e Ramush Haradinajt, nënkryetari Ahmeti Isufi kërkon përfshirjen sërish të Amerikës në bisedime dhe që ato duhet të kenë si temë unike, njohjen e ndërsjellë.

Isufi: “Ne dialogun e shohim duke qenë në tavolinë ShBA-të si partneri dhe miku i përjetshëm i Kosovës. Ndërsa të tjerët do t’i shohim si partnerë që mundësojnë një dialog të mirëfilltë duke pasur parasysh gjithmonë zgjidhjen finale që është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.”

Studiuesit politikë në vend kanë dyshime për rinisjen e menjëhershme të dialogut politik me Serbinë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Imeri: “Kjo varet edhe nga përbërja që do të ketë qeveria e Kosovës dhe nga përbërja e institucioneve të tjera të Republikës. Prandaj për këtë arsye vlerësojë̈ se tash për tash partitë̈ politike nuk kanë ndonjë̈ fokus aty dhe si temë nuk është e hapur dhe nuk pritet të hapet shpejtë.”

Vitin e kaluar, takimet e ndryshme në Bruksel e Uashington nuk arritën t’i bindin palët të heqin dorë nga pozitat maksimaliste, ndërsa në Serbi tema më e nxehtë e njohjes së shtetësisë së Kosovës është paralajmëruar se do të trajtohet vetëm pas zgjedhjeve të atjeshme në 2022-in.