Një zjarr i madh ka përfshirë ullishten e fshatit Stan Karbunarë në Lushnje.

Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe edhe në kodrat e fshatit Kashtbardhë dhe Çiflik.

Vatrat e zjarrit janë ndihmuar nga era e fortë dhe kanë djegur totalisht me dhjetëra hektarë ullishte të reja e të vjetra dhe shkurre e pemë frutore.

Sipas të dhënave paraprake dëmi është mjaft i madh dhe deri më tani llogariten dhjetëra hektarë ullishte shekullore dhe të reja.

Zjarrfikësit kanë qenë dhe janë të pranishëm në punë në vatrat kryesore, por e kanë të pamundur të jenë prezent me mjetin e ujit për shkak të mungesës së rrugëve nëpër kodra si dhe terrenit të vështirë kodrinor.

Ndërhyrja e banorëve të zonës dhe forcave zjarrfikëse e uniformat blu e kanë të pamundur izolimin e flakëve që kanë marrë përmasa të mëdha.

Kështu, në këto rrethana banorët dhe zjarrfikësit po përqendrojnë vëmendjen përreth zonave të banuara ndërsa hektarë të tërë ullishte mbeten në mëshirë të fatit.  

Ende janë katër vatra zjarri aktive deri në këto momente dhe me mjete rrethanore po punohet për eliminimin e tyre, por është e pamundur që flakët të vihen nën kontroll.