"Lumë" të shkarkuarish në bashkinë Tiranë, KLSH: 102 milionë lekë rroga për punonjësit e larguar nga puna

"Lumë" të shkarkuarish në bashkinë Tiranë,

102 milionë lekë ka paguar bashkia e Tiranës për punonjësit që ka shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga puna. Në raportin e KLSH kërkohet zgjidhja e situatës duke ngarkuar me përgjegjësi zyrtarët që kanë marrë vendimet. Kryeqyteti renditet problematik dhe me regjistrimin me vonesë të kontratat por dhe mënyrën e shlyerjes së faturave.

Në bashkinë e Tiranës problematike nuk janë vetëm tenderat me një konkurrent, apo skualifikimin e të gjithë pjesëmarrëves përveç fituesit.

Në raportin e KLSH-së për zbatimin e buxhetit të vitit 2019 rezulton se bashkia e Tiranës ka numrin më të lartë të regjistrimit të kontratave me vonesë, në shkelje të afatit ligjor.

Gjatë vitit të shkuar janë evidentuar 270 prej këtyre rasteve me vlerë 17.1 miliardë lekë.

Ndërkohë që është konstatuar gjithashtu pagesa pjesore të faturave, pasi fondet buxhetore kanë qenë më të ulëta nga detyrimi.

Në raport, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave bashkia e Tiranës kryeson listën dhe për detyrimet e prapambetura, duke zënë 22% të totalit, e përllogaritur në vlerën e 1 miliardë e 758 milionë lekëve.

Në raport evidentohet gjithashtu se Bashkia nën drejtimin e Erion Veliaj renditet e dyta ndër institucionet më problematike buxhetore për punonjësit e larguar padrejtësisht nga puna, çështje për të cilën rezulton se ka ekzekutuar pagesa në vlerën e 102 milionë lekëve.

Referuar nivelit të lartë të këtyre detyrimeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon më shumë përgjegjësi nga ana e institucioneve.

"Duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të detyrimeve për vendimet gjyqësore, KLSH, parashtron rëndësinë e trajtimit të plotë të përgjegjësive në lidhje me vendimmarrjen me kosto financiare të nëpunësve publike pasi është konstatuar se në të gjitha subjektet që ekzekutojnë vendimet gjyqësore nuk përcaktohet përgjegjësia në lidhje me detyrimet që lidhen me to, në kundërshtim edhe me kërkesat e Udhëzimit Standart të Zbatimit të Buxhetit".

KLSH ka konstatuar se vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk raportohen dhe nuk deklarohen si shpenzim, kjo në kundërshtim me ligjin.

Vendi Ekonomi Lajme Sociale klsh bashkia tirane shkarkimet nga puna

EMISIONET