Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho bën një denoncim publik në Facebook-un e tij, këtë herë jo për masat e marra për Covid-19, por për një kolegun e tij që rrezikon vendin e punës për shkak të qëndrimeve të tij publike.

Mjeku i QSUT, Ilir Allkja, do të denonconte mungesën e veshjeve tek kolegët e tij gjatë pandemisë dhe shumë mungesa të tjera duke marrë mbi vete sulme të ndryshme me ngjyrim politik e jo vetëm.

Por sot mesa duket, QSUT prite të “sqarojë” gjithçka me mjekun “rebel”.

Erion Dasho: “Sot në orën 10.00, kolegu Ilir Allkja është ftuar nga drejtoria e QSUT për të “rishikuar marrëdhënien e punës”.

Ministria që drejtohet nga një kimiste dhe QSUT që drejtohet nga një klarinetist kanë luksin që në pikun e epidemisë më të rrezikshme të shekullit, të “rishikojnë marrëdhënien e punës” me një mjek urgjence që i shërben pacientëve prej dhjetëra vitesh dhe që ka gdhirë netë të tëra duke u kujdesur për pacientët me COVID!

Ftoj gjithë kolegët, pacientët të cilëve u ka shërbyer Dr. Iliri dhe gjithë qytetarët, që në orën 10.00 të mendojnë qoftë edhe pak sekonda se ku e kemi katandisur sistemin tonë shëndetësor dhe se ku po katandisim tashmë edhe demokracinë dhe lirinë e shprehjes!

Sqaroj të gjithë miqtë që më pyesin rreth një njoftimi të drejtorisë së QSUT “Nënë Tereza” që më thërret për rishikimin e marrëdhënieve të punës me personin tim, se unë nuk kam kryer asnjë shkelje etike apo profesionale në punë as tani e as vite më parë .
Përkundrazi kam punuar me përkushtim e kam dhënë më të mirën time në mbrojtje të shëndetit e jetës së njerzve
“, do të shkruante dy ditë më parë vetë Allkja.