Lukashenko izolohet me fqinjët

Lukashenko izolohet me fqinjët

Pas 6 javëve protesta masive, Bjellorusia ka vendosur ushtrinë në gatishmërinë më të lartë dhe do të mbyllë kufijtë me Poloninë dhe Lituaninë.

Presidenti Aleksandër Lukashenko përsëriti të enjten se revolta popullore për dorëheqjen e tij vazhdon të nxitet nga Perëndimi.

Duke folur në një forum për gratë, kreu i shtetit apeloi tri popujt fqinjë të ndalin marrëzinë e politikanëve të tyre, për të evituar përplasjen luftarake.

"Të jem i sinqertë nuk e dimë çfarë do duan të bëjnë tani. Dimë që kanë akoma shumë truke në arsenalin e vet para se të fillojnë luftën konkrete. Ne jemi të detyruar t'i tërheqim trupat nga rruga, të vendosim në gatishmëri gjysmën e ushtrisë dhe të mbyllim kufirin shtetëror me perëndimin, me Lituaninë dhe Poloninë, dhe të forcojmë atë me Ukrainën vëllazërore."

Protestat kundër presidentit Lukashenko nisën më 9 gusht kur 66-vjeçari shpalli fitoren e 6-të radhazi pas një procesi zgjedhor të konsideruar i manipuluar nga opozita, Bashkimi Europian dhe SHBA-ja.

"Ne i mbajtëm zgjedhjet sipas Kushtetutës dhe ligjit. Nuk na duhen të tjerët për t'i njohur ato si të rregullta apo jo. Zgjedhjet u mbajtën dhe ishin të ligjshme."

Trazirat disajavore në kryeqytetin bjellorus kanë çuar në ndalimin dhe shoqërimin në polici të afro 7 mijë personave dhe qindra të tjerë raportohet të jenë dhunuar nga forcat e rendit.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë njoftuar se po punojnë për identifikimin e dhunuesve dhe emrat e tyre, ka paralajmëruar opozitarja, Svetlana Tikanovskaja, do publikohen në nder të njërit prej protestuesve që humbi jetën në Minsk një ditë pas zgjedhjeve.

Parlamenti Europian të enjten miratoi një rezolutë që mohon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe parashikon mosnjohjen e Lukashenkos si president kur t'i skadojë mandati më 5 nëntor.

Ndërkaq Rusia ka dalë në krahun e Bjellorusisë dhe pas një takimi me homologun e tij gjatë javës, presidenti rus Vladimir Putin ofroi mbi 1 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për vendin dhe mundësira për armatosje ushtarake nëse do të jetë e nevojshme.

Bota Lajme bjellorusi lukashenko izolohet fqinjet

EMISIONET