Edhe pse vota e tyre nuk është përcaktuese, shqiptarët që morën mandate në zgjedhjet parlamentare të qershorit në Serbi i kanë vënë kushte presidentit Aleksandër Vuçiç teksa ai tenton të krijojë një qeveri të re më gjithëpërfshirëse.

Deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës që fituan tri mandate parlamentare në zgjedhjet e fundit në Serbi janë shprehur të hapur për mundësinë e pjesëmarrjes në ekipin e ri qeveritar.

Pas konsultimit në zyrën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ftesë të këtij të fundit, tre deputetët e rinj të “Alternativës Demokratike Shqiptare”, Shaip Kamberi, Argjend Bajrami dhe Nadije Beqiri e kushtëzuan të martën kontributin me kërkesa konkrete për poste ekzekutive.

Në deklaratën e tyre, ata thanë se janë të gatshëm të hyjnë në qeveri nëse u jepet drejtimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal, zv.ministri i ekonomisë, sekretari shtetëror i Ministrisë së Arsimit dhe kryetari i Trupit Koordinues.

“Këto 4 kushte janë të ndërlidhura ngushtë me problemet kryesore të shqiptarëve për gati 20 vite… duke mos qenë të integruar në institucionet shtetërore, duke na pamundësuar adresat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke mos i dhënë rëndësi zhvillimit tonë ekonomik, duke na neglizhuar në të gjitha format me pasojë shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Lugina. Shpresojmë për një “Serbi të re” që presidenti e proklamon si Serbi me perspektivë Europiane,” njoftoi koalicion shqiptar.

Partia e presidentit serb, Vuçiç, në zgjedhjet e 21 qershorit siguroi shumicën absolute të parlamentit që do i mundësonin atij ta riformatonte kabinetin aktual edhe pa miratimin e subjekteve të tjera politike.

Megjithatë kreu i shtetit është deklaruar se do përpiqet të bashkëpunojë me sa më shumë parti të tjera për qeverisjen e vendit.

Të martën, ndërkaq, ndryshe nga politikanët shqiptarë, një grupim tjetër minoritar si ai i boshnjakëve në Serbi refuzoi negociatat e parashikuara me presidentin Vuçiç, duke thënë se nuk kishin çfarë të besonin për qeverisjen përderisa për ta zgjedhjet e fundit ishin jo të lira, jodemokratike dhe të parregullta.

Qeveria serbe aktualisht udhëhiqet nga kryeministrja Ana Bërnabiq, e cila prej muajsh është vënë në qendër të kritikave së bashku me presidentin Vuçiç për mënyrat si e ka administruar çështjen e pandemisë së kovidit në vend.

Revolta me situatën politike por edhe me koronavirusin javën e kaluar u shpërfaq me protesta disaditore antiqeveritare dhe përdorimin e gazit lotsjellës para godinës së parlamentit.