Plotësimi i përditshëm i formularit përmes të cilit prindërit deklarojnë nëse janë apo jo me koronavirus, konsiderohet absurd edhe prej vetë nxënësve. Në kushtet kur nuk i dinë shenjat e infeksionit ata kërkojnë nga Ministria që të merret me problemet reale që parandalojnë përhapjen e sëmundjes.

Një nga rregullat e reja në nisjen e shkollës, është formulari i vetëdeklarimit për situatën e koronavirusit, ku prindi ose fëmijët ngarkohen me përgjegjësi për përgjigjet që japin.

Madje disa prej shkollave kërkojnë dhe numrin e kartës së identitetit të deklaruesit.

Edhe pse në dukje mund të konsiderohet procedurë, nxënësit theksojnë se nuk u lejohet hyrja në mësim nëse nuk kanë formularin.

“Prindërit duhet ta plotësojnë çdo ditë atë, nuk na fusin në mësim nëse nuk kemi plotësuar formularin.”

Edhe pse i kanë plotësuar, prindërit shprehet se nuk ka si të ngarkohen me përgjegjësi kur nuk e dinë se kur shfaqen shenjat e Covid 19.

Ndaj dhe kërkojnë që vëmendja të përqendrohet te problemet reale.

“Do ti përmbahemi rregullave se nuk kemi çfarë bëjmë, por që nuk është e drejtë nuk është. E vura re që dje që çova vajzat në shkollë sikur nuk ekzistonte Covid-i fare.”

“E rëndësishme është por të tregosh me kë je takuar dhe me kë nuk je takuar, nuk e di. Ka shumë gjëra për të bërë.”

“Aspak e drejtë që të rrinë fëmijët aty dhe të mblidhen, formulari ishte gjëja e fundit fare.Prindi nuk ka të drejtë të plotësojë formularin, ku e di unë ku e merr virusin fëmija kur del nga shtëpia ose vetë ku e  marrim, nuk dimë asgjë.”

Në ditën e  dytë të mësimit, fëmijët vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, duke u pajisur jo vetëm me dezinfektant, por edhe me maska.