Një ngjarje e rëndë dhe e frikshme njëkohësisht raportohet nga Meksika, ku policia ka gjetur mbetjet e 59 trupave të groposur.

Dyshohet se trupat e gjetur të mërkurën, janë viktima të luftës së karteleve të drogës në vend.

CNN bën me dije se mbetjet trupore janë gjetur në provincën Salvatiera të Guanajuato, ku shkalla e vrasjeve si pasojë e përfshirjes në kartele droge është rritur ndjeshëm.

Të paktën 10 nga trupat i përkisnin gjinisë femërore, teksa mes tyre kishte edhe shumë adoleshentë e të rinj.

Alarmi i ngritur nga të afërmit e personave të zhdukur çoi në zbulimin më të madh të varreve klandestine në Guanajuato, ka njoftuar shefja e Komisionit të Kërkimeve në Meksikë.

Guanajuato regjistroi 2,250 vrasje midis muajve janar dhe gusht të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, një rritje me më shumë se 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.