Edhe pse jemi ende dy muaj larg nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, partitë e opozitës kanë intensifikuar komunikimin me elektoratin. LSI tashmë ka nisur edhe prezantimin e kandidatëve për të thithur sa më shumë votues nga e majta, ndërsa pas Nasip Naços, këtë të shtunë asaj iu largua edhe deputeti Gledion Rehovica. Ndërsa PD duket se po tregon kujdes në prezantimin e atyre që do të përbëjnë grupin e ri parlamentar.

Mbeten ende edhe gati dy muaj përpara nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

Por partitë politike pavarësisht masave të pandemisë kanë intensifikuar takimet në terren.

Pas aksioneve e protestave të përbashkëta, duket PD dhe LSI tashmë janë ndarë në bazë.

PD po tregohet ende e kujdesshme për të plotësuar drejtuesit e qarqeve, që sipas burimeve do të jenë edhe në krye të listave të deputetëve, por ende nuk ka asnjë deklarim për lista kandidatësh.

Po kjo nuk ka ndodhur me parti të tjera të opozitës. Fatmir Mediu bëri prezantimin e parë të 36 kandidatëve për Tiranën, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ka shkuar një hap më tej, duke prezantuar kandidatët në disa njësi të Tiranës, por edhe Elbasanit.

Diskutimet mes aleatëve të djathtë duket se deri më tani kanë përcaktuar futjen në listën e PD-së të Agron Dukës si i treti në Durrës, ndërsa edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht Korça i është lënë Vangjel Dules se PBDNJ-së, ndërsa Vlora Shpëtim Idrizit të çamëve.

Nga ana e saj, LSI ka të qartë tashmë daljen si forcë më vete, një lëvizje kjo që duket është bërë për të forcuar kërkesën e saj për votën e të majtëve.

Por ajo që ende nuk është zyrtarizuar është një aleancë me PDS-në e Paskal Milos, i cili për Ora Neës konfirmon se është në bisedime me disa parti, duke mos përjashtuar as PS-në.

Nga radhët e LSI-së, pas largimit të ish-ministrit Nasip Naço edhe ish-deputeti Gledion Rehovica i është bashkuar PS-së. Ai e cilëson partinë që e bëri deputet si klub të Tiranës.

“Eksperimenti i LSI-së për mua ka mbaruar, Berati sot ka nevojë për progres, punë, ka nevojë për të ecur përpara dhe këtë mund ta bëjë vetëm PS me Edi Ramën Kryeministër. Jo se PS nuk ka të meta dhe gabime,  por është e vetmja parti me vizion sot.”

Këto largime LSI, në fakt po i kompenson me afrimin e të rinjve në radhët e saj.

Ndërkaq, mbetet për tu parë nëse edhe PD do të hedhë në publik të tjerë emra kandidatësh, qoftë nga lista e atyre që u seleksionuan nga komisioni përzgjedhës apo qoftë nga lista që i takon kryetarit të partisë.