Pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare, Monika Kryemadhi kërkoi votëbesimin e anëtarë të LSI-së për një tjetër mandat në krye të kësaj force, të cilët votuan fizikisht dhe online si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Me anë të këtij konfirmimi asaj i jepet e drejta edhe për të zgjedhur ekipin me të cilin do të shkojë në 25 prill.

Monika Kryemadhi: “Unë sot garoj për tu rikonfirmuar. Pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues”

Për të rimarrë drejtimin e LSI, Monika Kryemadhi u detyrua të vendoste edhe maskën para se të votonte për kryetaren dhe delegatët.

Monika Kryemadhi:Mesa duket Partia ma mbledh nuk ma mbledh njeri tjetër. Prapë vazhdoj të mendoj që maska është një element që mbahet në ambiente të mbyllura. Maska është një element që njerëzit duhet ta mbajnë se besojnë dhe jo kërcënojnë”

Edhe pse gara ka qenë e hapur, asnjë anëtar i LSI-së nuk e ka marrë guximin të sfidojë Kryemadhin për drejtimin e kësaj selie.

Monika Kryemadhi: “Nuk ka pasur asnjë kandidat tjetër. Nuk mendoj se pozicioni i Monikës është i njëjtë me atë të Ramës. Monika nuk ka frikë nga gara.

Në zgjedhjet e 25 prillit Kryemadhi do të garojë në qarqet më të vështira, mes tyre do të jetë edhe Fieri.

Por më e qartë se kryetarja e tij, Luan Rama nga Vlora ka
deklaruar se në parlamentaret e 2021, LSI do të shkojë e vetme para zgjedhësve.

Luan Rama: “Ne do të shkojmë para qytetarëve me logon dhe emrin e LSI-së”

Në konventën e 5 dhjetorit, LSI pritet të zgjedhë forumet drejtuese si dhe të publikojë drejtuesit politik si dhe mënyrën se si do të shkojë LSI në 25 prill, e vetme apo në koalicion me partitë e tjera të kampit opozitar.