LSI denoncon skandalin në Vorë: I dënuari po rivlerëson banesat e dëmtuara nga tërmeti

LSI denoncon skandalin në Vorë: I dënuari po rivlerëson

PD dhe LSI kanë denoncuar hapjen e vendeve të punës për qëllime elektorale në bashkitë e vendit. Në Vorë kryebashkiaku akuzohet nga LSI se ka nënshkruar kontratë me një person me precedent dhe se po përfiton nga fondet e rindërtimit. Ndërsa në Vaun e Dejës sipas PD rroga merret pa u paraqitur në punë.

Opozita ka denoncuar rritjen e numrit të të punësuarve në bashki si një nismë për qëllime elektorale. Madje LSI, përmes një deklarate për mediat thekson se në Vorë është nënshkruar kontratë me një person me precedentë.

"Para disa ditësh në kemi denoncuar publikisht ndryshimin  dhe shtimin e  numrit të punonjësve në struktrurën e Bashkisë së Vorës. Ky ndryshim ka pasur si synim punësimin e militantëve të rilindjes si dhe njerëzve me precedentë të theksuar penalë.Më konkretisht, shtetasi Durim Ibrahimi i emëruar pas këtyre ndryshimeve të përmendura më lart në postin e këshilltarit të kryetarit të bashkisë së Vorës, rezulton person i dënuar me vendimin penal të formës së prerë numër 24/46, datë 21.09.2017 për veprën penale ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake’".

Madje sipas koordinatorit Vojo Bregu, në këtë bashki po abuzohet me fondet e rindërtimit.

"Shtetasi Durim Ibrahimi pikësëpari ka menduar t’i kthejë nderin kryetarit të bashkisë që e ka emëruar në kundërshtim me ligjin. Pikërisht në ushtrim të detyrës për rivlerësimin e dëmeve, punën e ka nisur me banesën e xhaxhait të kryetarit të Bashkisë, zotit Sherif Picari.

Në vlerësimin e parë, banesa e shtetasit Sherif Picari është vlerësuar në nivelin e dëmtimeve DS1. Sipas këtij niveli bazuar në VKM-në përkatëse, zoti Picari do të merrte maksimumi 1 milionë lekë të vjetra. Por pas rivlerësimit të bërë nga Durim Ibrahimi, banesa e shtetasit Sherif Picari çuditërisht, ka kaluar në nivelin DS5.

Ky kapërcim i paligjshëm i jep mundësinë zotit Sherif Picari që nga 1 milionë lekë të vjetra, minimalisht të përfitojë 24 milionë ose maksimalisht 34 milionë të vjetra, bazuar në sipërfaqen e banesës, gjithmonë sipas VKM-së përkatëse.

I bëjmë thirrje SPAK-ut, që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast të faktuar, pasi ky nuk është rasti i vetëm në Bashkinë e Vorës".

Nga ana tjetër në Vaun e Dejës PD shprehet se po paguhen punonjës pa qenë prezent në punë.

“Nepotizmi dhe korrupsioni kanë zënë vend në Bashkinë Vau Dejës, ku dhënia e rrogave personave pa u paraqitur në punë as edhe një ditë, jane bamiresia e titullarit  të asaj Bashkie për familjarët e njerezit e tyre te afërt, a thua se institucioni i Bashkisë është pronë private dhe me të mund të bëhet gjithçka që dëshiron.Institucionet publike, si edhe Bashkia funksionojnë në bazë te ligjeve dhe çdo veprim ndjek proçedurat përkatëse, e jo sipas deshirës apo kërkesave të personave të ndryshëm.Si rasti në fjalë janë me dhjetëra persona që sigurojnë pagesa mujore të konsiderueshme, si shpërblime të ndryshme, por profesionalisht dhe teknikisht nuk japin asnjë rezultat në punë, pra marrin shpërblime për një punë që nuk e ofrojnë, duke gëlltitur faktikisht miliona nga taksat qytetarëve të Bashkisë Vau Dejës”.

Sipas opozitës hapja e vendeve të punës dy muaj para zgjedhjeve është shënuar edhe në bashki të tjera.

https://youtu.be/iNHlNZaOkNc

Uncategorized Vendi Lajme Sociale denoncimi i LSI

EMISIONET