Në Maqedoninë Veriore u arrit marrëveshja për qeverinë e re. Krerët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti prezantuan marrëveshjen por jo ndarjen e posteve ministrore. Zaevi do të mbajë postin e kryeministrit për një mandat të plotë katërvjeçar ndërsa Talat Xhaferi i BDI-së do të vazhdojë të mbajë postin e kryetarit të Parlamentit.

Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim njoftuan arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshje u bë e ditur nga krerët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Kreu i LSDM-së, Zaev tha se ai do të jetë kryeministër me një mandat të plotë katërvjeçar, duke saktësuar se ky post nuk do të ndahet me rrotacion me BDI-në.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja. Gjithashtu jo zyrtarisht mësohet se BDI-ja do të mbajë postin e ministrit të Brendshëm, Financave, atë të Ministrisë për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie Ndëretnike, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Administratës dhe të Shoqërisë Informatike dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal.

 “Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet i punës së qeverisë, sikurse edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sa i përket postit të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si do ta arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.

 “Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues”, deklaroi Ahmeti.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, LSDM-ja e Zoran Zaevit fitoi 46 mandate në kuvend ndërsa BDI-ja 15.