Tetë muaj pas nisjes së operacionit “Forca e ligjit”, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ende vazhdon të presë rezultatet e para të policisë në këtë drejtim

Gjatë fjalës së tij në takim me stafin e njësisë policore Lleshaj pranoi se gjykatat nuk kanë marrë ende asnjë vendim sekuestroje për dosjet e hapura nga OFL.

Sander Lleshaj: Evidencat e deritanishme tregojnë se ecuria e punës është inkurajuese. Presim konfiskimet e para për tu pasuar në të ardhmen me vendime të tjera.”

Sipas të dhënave zyrtare nga SPAK, në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë dërguar vetëm 5 pasuri për konfiskim.

Gjysma e kërkesave të dërguara nga policia në SPAK janë kthyer pasi janë cilësuar të proceduara në kundërshtim me aktin normativ.

Sa i përket ecurisë së deritanishme të operacionit Forca e Ligjit, mësohet se janë dërguar 341 formularë për vetëdeklarimin e pasurisë, ndërsa në SPAK janë dërguar 100 kërkesa për sekuestrim pasurie, nga të cilat 50 i janë paraqitur gjykatës për konfiskim.