Ministri i Brendshëm ka reaguar ashpër ndaj akuzave që janë bërë në media javët e fundit ku është pretenduar se Sandër Lleshaj po lëviz me një makinë luksoze me vlerë 150 mijë euro. Ai e cilëson normal çmimin me të cilin është blerë automjeti në fjalë teksa sqaron se bëhet fjalë për një vlerë tri herë më të vogël.

Lleshaj: Automjeti nuk ka kushtuar 100 milionë lekë, as 150 mijë Euro, sikundër përpiqen të infektojnë opinionin publik shpellat e dyshimta virtuale, por vetëm 49 mijë Euro. Ky çmim, i cili është sa gjysma ose sa një e treta e atij që është hedhur në eter në mënyrë të paturpshme.

Kreu i Ministrisë së Brendshme pa folur me emra konktretë, i cilëson laro dhe tutorë ata që kanë publikuar një informacion të tillë që sipas tij është një përpjekje kriminale për intimidim dhe për dezinformim publik.

Sandër Lleshaj thotë megjithatë se ka dijeni për urdhëruesit e këtij sulmi ndaj tij teksa shton se çështjen do ta ndjekë në rrugë gjyqësore

Lleshaj: Sigurisht që kjo tentativë për intimidim apo shantazh nuk do të mbetet pa përgjigje. Larot virtualë dhe tutorët e tyre, që mundohen të qëndrojnë në errësirë, nuk janë të panjohur. Përgjigja për ta do të jetë në rrugë ligjore dhe gjyqësore.

Lleshaj, i cili pak ditë më parë deklaroi nga Vlora se nuk do të jetë më Ministër i Brendshëm, thekson se nuk e njeh as lëkundjen, as shmangien dhe as tërheqjen nga misioni që ka marrë përsipër, i cili sipas tij është për ti shërbyer Shqipërisë.

Reagimi i plotë i Leshajt në facebook

Po bëhen disa javë që disa portale ordinere dhe tutorët e tyre jo dhe aq periferikë, po përpiqen të mbajnë gjallë tymin e një mashtrimi skandaloz.

Sipas tyre, Ministri i Brendshëm paska blerë një makinë, që herë kushton 100 milionë lekë e herë arrin në 150 mijë Euro.

Aq shumë janë sforcuar për t’a përsëritur këtë mashtrim, sa ai ka mbërritur edhe tek disa qytetarë të nderuar, të cilët më kanë pyetur rreth të vërtetës.

Vetëm në respekt të tyre dhe jo në përgjigje të shpellave virtuale, po bëj këto sqarime elementare:

1. Sandër Lleshaj si person ka në pronësi një automjet mëse të zakonshëm, që prej një dekade. Ai nuk e ka as të mundur dhe as ndërmend të blejë një makinë të re;
2. Për shkak të funksionit shtetëror, Ministri i Brendshëm dhe grupi i tij i shoqërimit ka në përdorim disa automjete;
3. Po bëhen disa muaj që një automjet i dalë jashtë përdorimit është zëvendësuar me një të ri;
4. Automjeti nuk ka kushtuar 100 milionë lekë, as 150 mijë Euro, sikundër përpiqen të infektojnë opinionin publik shpellat e dyshimta virtuale, por vetëm 49 mijë Euro;
5. Ky çmim, i cili është sa gjysma ose sa një e treta e atij që është hedhur në eter në mënyrë të paturpshme nga larot dhe tutorët e tyre, e bën të qartë përpjekjen kriminale për intimidim dhe për dezinformim publik;
6. Vetëm për krahasim, vlen të theksohet se vlera e automjetit të ri në përdorim të Ministrit të Brendshëm është e përafërt me vlerën e automjeteve të reja të vëna në përdorim të Policisë së Shtetit, në Tiranë dhe në të gjitha qarqet e vendit gjatë këtij viti, si pjesë e programit të modernizimit të saj.

E vërteta është kaq e thjeshtë.

Nuk ka makinë për Sandër Lleshajn, por për shtetin; nuk ka makinë 100 milionëshe, por një makinë krejt normale, me çmim mëse të zakonshëm.

Sigurisht që kjo tentativë për intimidim apo shantazh nuk do të mbetet pa përgjigje.

Larot virtualë dhe tutorët e tyre, që mundohen të qëndrojnë në errësirë, nuk janë të panjohur. Përgjigja për ta do të jetë në rrugë ligjore dhe gjyqësore.

Me këtë rast, dua të garantoj qytetarët dhe miqtë e mi se unë nuk e njoh as lëkundjen, as shmangien dhe as tërheqjen nga misioni im, që është shërbimi ndaj Shqipërisë.

Aq mirë e njoh veten time, sa tentativat mjerane për baltosje vetëm sa më motivojnë për të bërë më shumë kundër krimit, i cili ndonëse përpiqet të sofistikohet duke u bërë edhe virtual, nuk mund t’i shmanget goditjes që bëhet përditë më e fortë.

E njoh veten time, por edhe ata aq mirë, sa sulmet e tyre më bëjnë edhe të qesh.