Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e bëri të qartë se ai do të vijojë të jetë në krye të ministrisë të paktën deri më zgjedhjet e 25 prillit.

Në një prononcim për mediat ai tha se policia e shtetit do të jetë e angazhuar për të siguruar një proces të mirë zgjedhor.

I pyetur nëse ai do të jetë në krye të policisë gjatë kësaj kohe, Lleshaj u përgjigj me bindje se do të jetë.

Lleshaj: Policia e Shtetit është një ndër strukturat e besuara nga publiku dhe qytetarët shqiptarë në bazë dhe të sondazheve të fundit. Rezulton që policia mbështetet nga qytetarët shqiptarë. Mbi 62% e tyre e vlerësojnë pozitive. Si çdo organizëm ka problemet e saj. Mbijetesa e të korruptuarve është e pamundur brenda policisë. Sapo kemi lançuar dhe nismën për shtrëngimin e masave të rrugores. Tendenca e aksidenteve në rrugë është drejt uljes. Këtë vit është ulur shumë herë në krahasim me një vit më parë. Nuk kemi sinjalizime për aktivitet kriminal në këtë fushë. Keni garanci të plotë që Policia e Shtetit me masat përforëcuese do të jetë absolutisht e aftë që të menaxhuar situatën e zgjedhjeve. Shqipëria do të ketë zgjedhjet më të mira në historinë e saj.

Gazetari: Me apo pa ju?

Lleshaj: Me.

Ministri Lleshaj ishte në Shkodër ku inaguroi dhe ekipin e ri të “Shqiponjave”.

Gjithashtu i pranishëm ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i cili tha se gjatë 2 viteve të fundit 2000 të rinj janë bashkuar policisë.

Ai deklaroi se priten që t’i bashkohen dhe 350 të rinj të tjerë.