Edhe Presidentit Ilir Meta mendon që drafti i propozuar nga PS në Këshillin politik për hapjen e listave dhe koalicionet parazgjedhore është një tentativë për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit.

Për këtë arsye Kreu i Shtetit, përmes një postimi në rrjetet sociale i kërkon mazhorancës socialiste që të reflektojë pasi në kundërt do të marrin përgjigje nga qytetarët.

“Çdo manovër mashtruese që u heq të drejtën qytetarëve të zgjedhin vetë edhe deputetët, siç ju premtua, vetëm me qëllimin për të prishur në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e 5 Qershorit, do të ndëshkohet fort nga të gjithë qytetarët që prej 12 vitesh kërkojnë deputetë e jo kukulla kryetarësh. Mos kini frikë nga hapja e listave! Hapni listat ose largohuni!”

Por thirrjen e Ilir Metës dhe kundërshtitë e PD në Këshillin Politik, PS nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm i quan blofe politike.

Hapja e listave tashmë është një fakt dhe nuk ka më kohë për të humbur, për të votuar Kodin Zgjedhor. Humbësit përsëritës duhet të heqin dorë nga ndërtimi i alibive, duke u fshehur pas akuzave dhe blofeve. Ne jemi gati ta diskutojmë propozimin në mënyrë gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe brenda pak javësh duhet të kemi miratuar reflektimin në Kod të ndryshimeve kushtetuese.”

Për të mbrojtur propozimin socialist, Balla nga Belshi nënvizon se me ndryshimet e sjella prej tyre votuesit kanë të drejtë të rendisin kandidatët.

Lista e kandidatëve të subjektit zgjedhor do të jetë 100% e hapur. Çdo kandidat në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Propozimi ynë ruan plotësisht edhe pragun e përfaqësimit gjinor. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rendisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale.”

Në draftin e mazhorancës propozohet që qytetarët kanë të drejtë të votojnë partinë politike dhe një kandidat.

Ndërsa shpërndarja e mandateve do të bëhet sipas renditjes së bërë nga kryetari i Partisë dhe votat preferenciale.

Por një kandidat mund të të zëvendësojë kolegun e tij që është më lart në renditje, jo vetëm se ka marrë vota më shumë se ai por duhet të kalojë edhe pragun e votave mesatare në një zonë zgjedhore.

Gjithashtu duhet të ruhet edhe përfaqësia gjinore.