Ish-luftëtari i UCK-së Murtez Kastrati nga Lipjani është ndaluar në kufirin shqiptar nga policia shqiptare. Sipas kreut të veteranëve të luftës së UÇK-së në Kosovë ndalimi i tij është bërë pas hartimit të një liste me urdhër arreste nga Serbia dërguar Interpolit. Ndalimi i tij është konfirmuar dhe nga ministria e Jashtme e Kosovës, ndërsa policia shqiptare përgënjeshtron lajmin.

Një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ndaluar përkohësisht nga policia shqiptare bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga Serbia.

Ngjarja është denoncuar nga kryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së Hysni Gucati Kosovë.

Ai njoftoi të dielën paradite se policia e Shqipërisë ka ndaluar  ish-pjesëtarin e UÇK-së, Murtez Kastratin nga Lipjani.

Sipas tij ndalimi është bërë bazuar te një listë me urdhër-arreste që Serbia ka dërguar në INTERPOL.

Kreu i organizatës së veteranëve të UÇK u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të lirojnë Murtez Kastratin dhe të mos marrin në konsideratë urdhrat e arrestit të lëshuar nga Serbia.

I kontaktuar nga Ora News, Hysni Gucati tha se ndalimi i veteranit të UÇK-së3 është njoftuar nga familjarët dhe miqtë e tij të cilët kanë qenë prezent në doganën e Morinës, kur Kastrati po udhëtonte drejt Shqipërisë për pushime.

Burimet e policisë thanë se ai është mbajtur për rreth 40 minuta në pikën kufitare, ndërsa më pas është lënë i lirë për të vijuar drejt bregdetit shqiptar.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj e cila shkruan se Kastrati është ndaluar nga policia shqiptare, por është liruar pas verifikimeve.

Haradinaj-Stbulla thotë se ka pasur një komunikim për ngjarjen me ministrin e jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

Ora News pyeti policinë e shtetit në Tiranë për këtë incident por kjo e fundit e mohoi që në Shqipëri të jetë arrestuar ndonjë veteran i UÇK-së.

Ndalimi për verifikim i Kastratit ka nxitur reagimin e opozitës e cila përmes anëtarit të kryesisë së PD Kreshnik Çollaku akuzoi se Tirana zyrtare është kthyer në shërbëtore të rëndomtë të Beogradit, e cila mbështet ndarjen e Kosovës.

 Ai ndër të tjera shkruan se Tirana zyrtare dhe Edi Rama pas kaq shumë shërbimesh ndaj Beogradit kanë detyrim të tregojnë publikisht çfarë motivesh apo përfitimesh e shtynë drejt kësaj sjellje servile dhe antikombëtare.