Vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake kundër aborteve në raste të defekteve fatale si antikushtetues, ka sjellë që shumë qytetarë, kryesisht gra, të dalin në protesta.

Ndërkohë, përleshje pati edhe në parlamentin polak ku deputetët e opozitës mbanin tabela “Kjo është luftë” dhe “Turp”.

Pavarësisht protestave që kanë ditë që vijojnë, Kreu i partisë në pushtet tha se vendimi nuk mund të ndryshohej. Jaroslaë Kaczynski, i cili është gjithashtu zvkryeministër, tha se protestat ishin një përpjekje për të “shkatërruar” Poloninë. Ai i nxiti njerëzit të “mbronin” kombin, si dhe Kishën Katolike.

Mediat polake njoftojnë se Ligjet e abortit të Polonisë ishin tashmë ndër më të rreptat në Evropë, por vendimi i Tribunalit Kushtetues do të thotë një ndalim pothuajse total. Sapo të hyjë në fuqi vendimi, abortet do të lejohen vetëm në raste të përdhunimit ose inçestit, ose nëse shëndeti i nënës është në rrezik.

Grupet që mbrojnë të drejtat e njeriut i kishin kërkuar më herët qeverisë të mos i rrisë kufizimet. Reagime ka pasur edhe nga Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, i cili tha se dita kur doli vendimi shënoi një “ditë të trishtuar për të drejtat e grave”.

Një sondazh publik në vitin 2014 nga qendra kërkimore CBOS në Poloni zbuloi se 65% e polakëve të anketuar ishin kundër abortit, 27% e panë atë si të pranueshëm dhe 8% ishin të pavendosur.

Ka rreth 1.000 aborte ligjore çdo vit në Poloni, por grupet e grave thonë se numri i aborteve të kryera në mënyrë të paligjshme ose jashtë vendit mund të jetë midis 80,000 dhe 120,000.