Vr*sjet për “motive banale”, ç’ndodh në trurin e kriminelëve? Dine: Ngjarjet tragjike nuk lindin nga asgjëja
Humbja e jetës së një 27-vjeçari pas një konflikti të çastit ka ngritur debate të forta mbi natyrën e krimeve në shoqërinë shqiptare. Termi "motive banale", i përdorur shpesh në media dhe nga autoritetet, në fakt fsheh një realitet shumë më kompleks dhe të rrezikshëm.
Sipas psikologes Borjana Dine, justifikimi i një vrasjeje thjesht me një shikim të gabuar në rrugë është një iluzion.
Në analizën psikologjike që ajo bëri në studion e lajmeve në “Ora News”, Dine thekson se pas çdo akti fatal fshihen elementë të thellë agresiviteti dhe neurozash.
Një person që mbart armë zjarri apo armë të ftohta dhe është i gatshëm të përfshihet në një konflikt me lehtësi, përbën një rrezik të madh potencial për shoqërinë.
Ngjarjet tragjike nuk lindin nga asgjëja; ato janë shpërthime të një inati të akumuluar, revoltës dhe mbi të gjitha, paaftësisë për të pranuar humbjen në një përballje. Individë të tillë shpesh presin një moment të dytë për të "kthyer reston", të udhëhequr nga verbëria e emocioneve të forta ku logjika dhe mendimi mbi pasojat afatgjata janë inekzistente.
Në një kontekst më të gjerë, faktori kulturor ka rolin e vet. Shoqëria përshkruhet shpesh me tipologjinë e një populli "gjaknxehtë", ku energjia për të reaguar dhunshëm dominon mbi vetëkontrollin dhe menaxhimin e impulseve.
Zemërimi dhe euforia marrin frenat e situatës "aty për aty", ndërkohë që pasojat tragjike kuptohen vetëm kur gjithçka është mbyllur fatalisht.
Nga ana tjetër, sjellja e vetë autoriteteve zbulon përmasat e rrezikut real pas këtyre krimeve. Kur Policia e Shtetit ofron shpërblime për kapjen e një autori apo bën thirrje publike që qytetarët të bëjnë kujdes nga një person i armatosur, ky është një sinjal i qartë se profili i personit nuk është thjesht ai i një qytetari të përfshirë në një sherr banal.
Një reagim i tillë konfirmon praninë e një historiku të errët kriminal dhe një rrezikshmërie të lartë, duke rrëzuar përfundimisht mitin e krimeve që ndodhin "rastësisht".
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË


