"Të qara për aromë gjiri”, një roman psikologjik për të gjitha nënat e reja

Ushqyerja me gji në muajt e parë të jetës cilësohet si një nga  gjerat më të rëndësishme që ndikon në jetën e fëmijës. Kjo jo vetëm në aspektin shëndetsor por edhe psikologjik pasi nuk mund të zëvendësohet afërsia dhe siguria e ofruar nga krahët e nënës me asnjë formë tjetër të vëmendjes.

Ushqyerja me gji sjell shëndet gjatë gjithë jetës së bashku me shumë përfitime të mirëqenies për nënat dhe foshnjat e tyre. Provat shkencore  që vijnë nga studime të ndryshme tregojnë se ushqyerja vetëm me gji luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër mbipeshës dhe obezitetit në fëmijëri.

Është vërtetuar gjithashtu se ajo siguron mbrojtje të fuqishme kundër rrezikut të zhvillimit të një sërë gjendjesh kronike në periudhat e më vonshme të jetës.

Për të folur për gjidhënien dhe rëndësinë e saj,  i ftuar në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora, psikologu Lorenc Bajrami prezantoi librin e tij “Të qara për aromë gjiri”.

Lorenc Bajrami: “Ideja për librin më ka ardhur në vitin 2014. Është I pari roman psikologjik. Ka qenë një dashuri e vërtetë. Jam shumë i lidhur me këtë libër. Ky libër u sugjerohet nënave të reja dhe atyre që presin të bëhen nëna. Gjidhënia ndikon jashtëzakonisht në gjithë zhvillimin psikologjik të një individi. Gjiri është organi i parë që ne shijojmë. Është mrekulli e veçantë, çdo nënë e re nuk duhet ta refuzojë, jep edhe përfitime shpirtërore."

Sipas tij fëmija e njeh botën nëpërmjet nënës, aromës së gjirit të nënës.

Lorenc Bajrami: "Është e rëndësishme kjo gjë. Krijohet një lidhje psiko-emocionale. Nënat e reja për shkak të angazhimeve nuk e praktikojnë gjidhënien. Unë jam kundër kësaj gjëje. Vrasin zhvillimin psiko-emocional të fëmijës. Nëse nuk janë gati të bëhen nëna, duhet ta shtyjnë.  Nga qasja psiko-analitike, mospranimi i gjidhënies sjell pasoja të rënda për zhvillimin e fëmijës. Është mungesa e nënës. Ky proces është natyral. Kur nga ana bilogjike nëna nuk ka mundësi ta ushqejë fëmijën me gji, duhet mbajtur afër, me buzëqeshje, me prekje, me ledhatime. Duhet ta mbajnë afër fëmijën, ti dhurojnë dashuri. Mesazhi im është të jenë me fëmijët, ti dhurojnë dashuri, sepse ajo dashuri është universale."

EMISIONET