Rovena Ibrahimi zbulon projektin e ri dhe prapaskenat e këngës “Motër” në “Jeto me Orën”
Argëtohemi shpesh me muzikën që ajo bën dhe është ndër zërat e parë që na shkon ndërmend kur përmendim dasmat dhe ahengun, sidomos kur bëhet fjalë për jugun.
Një javë më parë publikoi këngën “Motër”, këngëtarja e motiveve popullore qytetare Rovena Ibrahimi ishte sot në studion e “Jeto me Orën”.
Rovena tregoi për herë të parë si nisi ideja për të bërë këngën, në një periudhë të ngarkuar për artistët siç është sezoni veror.
“Më shkruajti një vajzë për të bërë një këngë për motrën, por isha shumë e zënë. Brenda 10 ditëve më shkruajtën dhe dy vajza të tjera, këtë e mora si shenjë që duhet të bëja një këngë të tillë. Një rol të rëndësishëm në frymëzimin tim për atë këngë ka dhe motra ime”-u shpreh ajo.
Kënga është pritur mjaft mirë nga publiku e siç e pohon dhe vet Rovena ka marrë qindra mesazhe pozitive.
Ndërkohë që ne ende dëgjojmë këngën “Motër’’, artistja vlonjate na zbuloi se është duke punuar për një projekt tjetër, të cilën pret ta publikoj në nëntor.
Bëhet fjalë pikërisht për një këngë popullore qytetare, brenda kornizave të asaj që Rovena përfaqëson për publikun.
Duke kthyer kokën pas në karrierën e saj, ajo u shpreh e lumtur për gjithë bashkëpunimet, duke qëndruar gjithmonë e hapur për bashkëpunime të reja.
Gjithashtu Rovena rikujtoi lumturinë që përjetoi me vlerësimin e këngës “Zemra në lak”, e cila mori çmimin e parë në festivalin “Zambaku i Prizrenit” në Kosovë.
Nënë e një djali një-vjeçar, ajo foli në studio për vështirësitë e balancimit të jetës private dhe punës.
“Më ndihmojnë prindërit për të mbajtur djalin, i kemi shtëpitë afër. Jam me fat dhe ndihem e qetë që e lë djalin me nënën time”- ka thënë këngëtarja duke shtuar se ka dëshirë për të bërë një fëmijë tjetër por është shumë herët."
E pyetur për të ardhmen e djalit të saj, Rovena u shpreh: Nuk do doja t’i hynte botës së artit, është shumë e vështirë. Por nëse ai ka dëshirë, patjetër që do e mbështes”.
Mbetemi në pritje të këngës së re të Rovenës.